Aleksandër Vuçiç e refuzoi takimin me Albin Kurtin në Bruksel, e teksa iu rikthye kësaj teme deklaroi se:
Dialogu është shërues, se është e rëndësishme të flasim dhe të kapërcejmë çdo problem duke folur, por nuk sheh arsye, siç tha, për të diskutuar me një njeri që provokon çdo ditë dhe dëshiron të shkaktojë konflikt. Kjo është ideologjia e tij fanatike dhe mendova se kjo do të sillte dëme shtesë dhe prandaj mendoj se është i pakuptimtë takimi me të.
Kreu i shtetit serb u shpreh nga ana tjetër i gatshëm për të biseduar me përfaqësuesit europianë. Më tej, ai bëri një deklaratë të çuditshme: Duhet të kuptojmë një gjë, se Kosova është shtet i pavarur për shumicën e vendeve të BE-së. Është fëmija i tyre. Janë kujdesur për të që kur ka qenë në djep, tani është një vend adoleshent dhe pak i trazuar, por gjithsesi kujdesen për të. Pozicioni ynë është shumë i vështirë, gjithçka që vlen për Ukrainën nuk vlen për Serbinë, por kjo është e drejta e më të fortit me të cilën duhet të mësohemi.
Pas takimeve të ndara një ditë më parë me Kurtin dhe Vuçiçin në Bruksel, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pohoi se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes ë zgjedhjeve të reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ai tha se pas më shumë se katër orë diskutimesh të dy udhëheqësit e kanë të qartë seriozitetin e gjendjes në veri, por kanë qasje dhe interpretime të ndryshme për situatën.
Top Channel