Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut tha se kishte ngritur një nismë që në vitin 2019 për hetime ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili u përcaktua nga Departamenti amerikan i Shtetit si “persona non grata” për shkak të veprave korruptive dhe ndikimit në gjyqësor.

Antikorrupsioni në Shkup thekson një sërë parregullsishë në punën e zotit Merko, ndërsa hedh dyshime mbi punën e Prokurorisë, Gjykatës Komunale dhe Këshillit Gjyqësor sa i takon tolerimit ndaj kreut të Strugës.

Përcaktimi nga Departamenti i Shtetit për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko si “persona non grata” vijon të jetë temë kryesore debatesh në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, me kërkesat e shtuara jo vetëm të opozitës për largimin nga posti të zotit Merko dhe ballafaqimin me drejtësinë.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit bëri të ditur të premten se kishte ngritur një nismë që në vitin 2019 për hetime ndaj zotit Merko, por se kjo ishte humbur nëpër sirtarët e Prokurorisë Themelore në Strugë dhe të Këshillit Gjyqësor. Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska u tha gazetarëve se kreu i Strugës kishte vepruar në kundërshti me vullnetin e Këshillit Komunal të Strugës; se i kishte shkaktuar dëme buxhetit gjatë prokurimeve publike për përfitime personale.

Këshilli Komunal nuk ka marrë një vendim të posaçëm për furnizimin e komunës me automjete në vitin 2018, ndërsa janë bërë lëshime proceduriale dhe gjatë debatit për ribalancin e buxhetit të komunës nuk është diskutuar fare për blerjen e veturave për nevojat e komunës, megjithatë ato janë blerë më pas”, tha zonja Ivanovska duke radhitur një sërë parregullsishë të tjera në punën e zotit Ramiz Merko.

Komuna që nga viti 2010 punonte me llogari të bllokuar bankare në kohën e blerjeve dhe furnizimeve me automjete luksoze, thekson Komisioni Antikorrupsion.

Avancimi i punonjësve në administratën komunale pa pëlqimin e Këshillit ishte një tjetër gjetje që shtyn Antikorrupsionin të fajësojë kryebashkiakun e Strugës. Sipas zonjës Ivanovska, akuzat dhe denoncimet ndaj zotit Merko ishin “humbur” nëpër labirintet e Prokurorisë komunale, Gjykatës Komunale, Këshillit Gjyqësor Republikan dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Njësoj sikur Departamenti Amerikan i Shtetit edhe Komisioni kundër Korrupsionit në Shkup vëren se Ramiz Merko kishte ndikim tek një gjykatës në Strugë, nisma për hetimin e të cilit nuk ishte realizuar nga organet përkatëse, ndërsa ishte lejuar që rasti të vjetrohet.

Opozita, si maqedonase edhe ajo shqiptare kërkon me ngulm që zoti Merko të tërhiqet nga posti i kryetarit të Komunës dhe organet hetuese të merren me gjetjet që Departamenti i Shtetit nënvizon në përcaktimin për të.

Por, jo vetëm opozita; edhe partneri i ri i koalicionit qeveritar, Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi juridike nga zoti Merko.

Ramiz Merko, lëri egot personale, kuptoje përgjegjësinë e momentit, ik, liroje karrigen, lironi organet përkatëse, të merren pa presione të pushtetit tënd, mos mbaj të gjithë Strugën peng nën akuzë, sepse nuk e meriton”, tha Lulzim Nasufi, përgjegjës i Aleancës për Shqiptarët në Strugë

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim, ku Ramiz Merko është zyrtar i lartë thotë se ka ngrirë funksionet e tij në parti, përkatësisht postin e tij të nënkryetarit të partisë, dhe inkurajon hetimin gjithpërfshirës jo vetëm ndaj zotit Merko, por dhe ndaj bartësve të funksioneve shtetërore e lokale.

Vetë zoti Merko nuk i është përgjigjur asnjë kërkese për t’u prononcuar lidhur me akuzat kundër tij. Pas dy ditësh mungese në zyrë, ai ka vazhduar të shkojë në punë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA