Kryeministri Edi Rama ka hezituar t’i bëjë sërish ftesë Kurtit për një tjetër takim të përbashkët mes dy qeverive, duke theksuar se “Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë notere e një politike që ndjek Kosova”.
Përmes një konference për shtyp, Rama tha se nuk ka asnjë problem personal me Albin Kurtin, por pas komenteve të fundit kur ai refuzoi draft-marrëveshjen me argumentin “le t’ia paraqesë Beogradit”, gjërat mes vendeve nuk janë ashtu siç duhet.
Sipas Ramës, nëse Shqipëria konsiderohet si “vëllai i madh” i Kosovës, detyrimi i saj është që gjërat t’i thotë hapur ashtu siç janë. Dhe e vërteta, sipas Ramës, është që gjërat për Kosovën në raportet e saj me ndërkombëtarët janë shumë keq.
“Për mua është shumë e qartë ajo që ka ndodhur. Albini nuk e ka dashur konfrontimin e drejtpërdrejtë për këtë temë sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet se i rriten poemat.
Mirëpo, Shqipëria nuk është notere dhe nuk mund të jetë kurrë notere e një politike që ndjek Kosova. Aq më tepër kur Shqipëria konsiderohet si “vëllai i madh” i Kosovës, sikurse thoni ju jo unë, sepse unë nuk e kam thënë kurrë një gjë të tillë. Detyrimi jonë është të themi të vërtetën në sy dhe të mbajmë qëndrimin tonë. Shqipëria është shtet më vete që ka interesat e saj.
Marrëveshjet që ishin gati për t’u firmosur mund të firmoseshin po njësoj pa pasur nevojë për të dhënë një shfaqe sikur gjërat janë normale. Gjerat nuk janë normale, janë keq dhe unë po bëj gjithçka për të shmangur më të keqen. Ne emër të qeverisë shqiptare po bëjmë sa mundemi.
Por të vijë dita që të diskutohet luajaliteti i partnerëve me Kosovën, është shumë keq.
Më duket e tmerrshme që programe të caktuara të bashkëpunimit të BE me Kosovën kanë ngrirë. Unë nuk hyjë tek ata që i konsiderojnë ndërkombëtarët dhe partnerët si Zoti vetë. Zoti është mbi ne dhe mbi ndërkombëtarët. Është mbi Amerikën dhe Shqipërinë. Por në këtë rast është katastrofë që të këputen në këtë farë feje lidhjet me bashkësinë euroatlantike.
Kështu që unë jam i gatshëm që ta takohem me Albinin në çdo moment. Në nivelin personal nuk ka asnjë personal nuk kam asnjë problem që të takohem me Albin Kurtin, madje po të na shihni bashkë ju do të thoni sa mirë shkojnë. Por në nivelin konceptual gjërat nuk janë aspak mirë”- tha Rama.
Top Channel