Një ditë para se studentët e mjekësisë të zhvillojnë protestën e radhës pasi nuk janë dakord që pas përfundimit te studimeve të detyrohen të ofrojnë shërbim shëndetësor në vendin e tyre, rektori i Universitetit Arben Gjata shpjegon se nuk ka asnjë vendim përfundimtar por është fazë diskutimi në kuadër të frenimit të largimit të mjekëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE-së.
“Për studentët e mjekësisë është një fazë diskutimi, por nuk ka asnjë draft të përgatitur. Një nga propozimet që është bërë nga ana e qeverisë ka qenë sigurimi i vendeve të punës, pas mbarimit të studimeve në sektorin publik, e shoqëruar nga një kontratë për të shërbyer tre vite në Shqipëri, duke mos i përjashtuar nga ndjekja e studimeve dhe specializimeve”.
Me një përllogaritje të përafërt shteti shqiptar shpenzon afro 3 mijë dollarë në vit për një student të Fakultetit të Mjekësisë që përllogaritet për 6 vite mjekësi e përgjithshëm një kosto prej 18 mijë dollarë. Po diskutohet që një student pas përfundimit të studimeve ose duhet të shërbejë në vendin e tij ose duhet të kthejë koston.
Tarifa e studimit për fakultetin e mjekësisë është 45 mijë lekë të reja në vit, por vetëm një pakicë e paguajnë atë të plotë.
Këtë të premte, studentët e mjekësisë po zhvillojnë protestën e radhës.
Top Channel