Të premten Policia e Kosovës ka arrestuar Nenad Orloviç, i njohur si “Rusi”.

Arrestimi i tij erdhi nën dyshimin se i njëjti më 29 maj në Zveçan ka sulmuar pjesëtarët e KFOR-it.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, njofton Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se policia po punon intesivisht në identifikimin e atyre që sulmuan KFOR-in.

“Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar. Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë. Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë”.

Mbrëmjen e së enjten sërish ka pasur shpërthime në veri të Kosovës.

Policia njofton se një shpërthim ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut dhe tjetri në Zveçan.

Dyshimet e para janë se mjetet shpërthyese ishin shok-bomba, por deri më tani Policia e Kosovës nuk e ka konfirmuar dhe thotë se po kryhen hetime.

Kjo nuk është hera e parë që në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut sulmohet edhe stacioni i policisë më shok-bomba.

Po ashtu, në Mitrovicë të Veriut dy persona të nacionalitetit shqiptar janë sulmuar nga një grup personash të maskuar.

“Dy viktimat meshkuj shqiptarë/kosovarë kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga 15-20 persona të panjohur, ku në mesin e tyre disa kishin qenë me maska. Si pasojë e sulmit njëri prej viktimave ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor, rasti vazhdon të hetohet”, njofton Policia e Kosovës.

Top Channel