Rreth 5000 bimë kanabis janë asgjesuar dhe 5 persona janë identifikuar si autorë të kësaj veprimtarie kriminale, gjatë fazës së gjashtë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”.
Operacioni angazhoi në terrenin malor të Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Fushë Arrëzit, 50 efektivë policie dhe 7 dronë.
Si rezultat i fazës së gjashtë u asgjësuan në total 4999 bimë narkotike cannabis sativa, prej të cilëve: 4180 bimë në fshatin Vajush, Malësi e Madhe; 697 bimë në fshatin Mali Kolaj, Shkodër; 75 bimë në fshatin Berishë e Vogël, Fushë Arrëz dhe 47 bimë në fshatin Repisht, Malësi e Madhe.
Sakaq është vënë në pranga shtetasi P. Gj., 54 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Gj. Gj., 27 vjeç, K. Gj., 24 vjeç, N. Gj., 21 vjeç, M. H., 26 vjeç dhe F. N., 33 vjeç, të gjithë banues në fshatrat ku u gjetën të kultivuara bimët narkotike. Vijon puna intensive për kapjen e 5 personave në kërkim.
Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.
Top Channel