Notarja Eva Buzo u detyrua ta lërë në mes sfidën e saj për të përshkuar me not kanalin e Otrantos.
E nisur nga Italia drejt Vlorë, Buzo pati probleme shëndetësore 27 orë pas qëndrimit në ujë.
“Është e shumë e lodhur nuk arrin të flasë. Ka gjuhën e enjtur. S’e dimë për shkak të dehidratizmit apo ndonjë kandili. Shohim brigjet shqiptare”, tha trajneri i Buzos.
Pas këtij mesazhi të njërit prej trajnerëve të saj që e shoqëronin Buzo është dërguar në spitalin rajonal të Vlorës ku po trajtohet për problemet e qëndrimit për një kohë të gjatë në ujë.
“Është koshiente, e lodhur, ka ethe. Ka tregues normalë. Erdhi me dridhje nga të ftohtët, humbje e lëngjeve. Në momentet e para artikulonte por nuk donim ta lodhnim. Kishte disa njolla kimotike në trup si tip dërmishtje”, tha Edmond Breshani, shef i reanimacionit në spitalin e Vlorës.
E nisur me not të enjten në mëngjes, avokatja 35 vjeçare duhet të mbërrinte në Vlorë mbrëmjen e së premtes por u detyrua ta linte në mes këtë nismë pak milje larg Karaburunit teksa i ishin shfaqur tashmë brigjet shqiptare.
“I thashë që Eva ti je një heroinë”, tha e afërmja e saj.
Top Channel