NATO përfundon stërvitjet historike ajrore në Evropë

23/06/2023 13:04

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (KFOR) i përfundoi më 23 qershor stërvitjet më të mëdha ndonjëherë të dislokimit të forcave ajrore në Evropë, në atë që po cilësohet si një shfaqje e fuqisë kundër kërcënimeve të mundshme, si nga Rusia.

Manovrat “Air Defender 23”, të udhëhequra nga Gjermania, mblodhën rreth 250 avionë ushtarakë nga 25 vende të NATO-s, si dhe aleate të tjera, përfshirë Japoninë dhe Suedinë. Kjo e fundit tashmë ka kërkuar anëtarësimin në aleancën ushtarake.

Rreth 10.000 pjesëtarë të shërbimit ushtarak morën pjesë në stërvitjet që synonin të rrisin ndërveprimin dhe gatishmërinë për t’u mbrojtur nga dronët dhe raketat lundruese në rast të një sulmi brenda territorit të NATO-s.

“Ne donim të tregonim se këto 25 kombe të ndryshme mund të veprojnë së bashku që nga dita e parë dhe ne ia dolëm”, tha kreu i forcave ajrore gjermane, Ingo Gerhartz, në transmetuesin NTV.

Stërvitja ishte një “sukses i plotë” në nivelet taktike dhe organizative, tha Gerhartz nga baza ajrore Jagel në Gjermaninë veriore.

Nga 2.000 fluturime të planifikuara, rreth 1.800 u ekzekutuan, tha Gerhartz, i cili e quajti këtë shkallë “rekorde” të ekzekutimit për këtë lloj ushtrimi.

“Air Defender” u konceptua në vitin 2018 pjesërisht në përgjigje ndaj aneksimit rus të Krimesë nga Ukraina katër vjet më parë, megjithëse Gerhartz më parë kishte këmbëngulur se këto stërvitje nuk “kishin askënd në shënjestër”.

Në anë tjetër, ambasadorja e SHBA-së në Gjermani, Amy Gutmann, tha se stërvitja do të tregonte “përtej çdo dyshimi shkathtësinë dhe shpejtësinë e forcës sonë aleate” dhe kishte për qëllim të dërgonte një mesazh për disa vende, përfshirë Rusinë.

“Do të isha shumë e befasuar nëse ndonjë lider botëror nuk do ta merrte parasysh atë që tregon kjo për sa i përket frymës së kësaj aleance, që do të thotë forcën e kësaj aleance, dhe kjo përfshin zotin Putin”, u tha ajo gazetarëve, duke iu referuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka intensifikuar aktivitetet e aleancës ushtarake perëndimore, të krijuar pothuajse 75 vjet më parë për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik.

Finlanda dhe Suedia, të cilat për një kohë të gjatë mbajtën një qëndrim zyrtar neutraliteti për të shmangur ndonjë konflikt me Moskën, kanë kërkuar anëtarësim në NATO pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Finlanda u anëtarësua në prill, por kërkesa e Suedisë është shtyrë kryesisht për shkak të kundërshtimeve turke. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA