Kryeministri Edi Rama, doli këtë të premte në një tjetër konferencë të dedikuar për situatën në veri të Kosovës.
Rama kërkon lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve, që mbahen peng në Serbi. Edhe sikur të kapeshin në tokë serbe, tha Rama, ata duhet të dëboheshin pasi të merreshin në pyetje.
“Është shqetësuese, sepse shtetet demokratike nuk i përgjigjen në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara të bashkombasve në një shtet tjetër. Nëse Serbia ka pretendime për arrest arbitrare të serbëve në veri të Kosovës, nuk mund t’ia kthejë në të njëjtën monedhë. Përsëris apelin për lirimin e menjëhershëm, pa kushte të tre efektivëve. Jo vetëm se është shkelje e të drejtave të njeriut, por sepse pa u kthyer ata të tre në shtëpi, nuk ka hapësirë për të vazhduar me planin e de-eskalimit”.
Pasi njoftoi se ka dërguar në tryezën europiane një draft statut, si propozim për Asocacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Rama tha se i ka dërguar një letër të dytë presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
“I kam nisur një nisur një letër të dytë Presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe Charles Michel, për një domosdoshmëri që Franca dhe Gjermania, në mbështetje të SHBA-së, që plani franko-gjerman të zbatohet me përpikmëri”.
Sipas kryeministrit, interesi ynë kombëtar kërcënohet nga kjo situatë.
“Është shumë e rëndësishme ta kuptojnë të tërë, që nga ata që flasin për vëllezër të vegjël e të mëdhenj të ata që kërkojnë arsye të mosarsyes për ta shtyre zvarrë këtë proces. Interesi ynë kombëtar kërcënohet nga kjo situatë. Ky rajon nuk është as i Albinit, as i Aleksandrit, është i vendeve që e përbëjnë. Ky rajon ka vuajtur boll nga përplasjet e vazhdueshme”.
Duke kërkuar që të mbarojë loja e “Tomy dhe Jerry” mes Serbisë dhe Kosovës, Rama tha se dy vendet akuzojnë njëra-tjetrën, sepse nuk kanë vullnetin e duhur për tejkalimin e situatës.
“Vajtje ardhjet në Bruksel dhe këto xhirot ku bëjnë diskutime a do shkojmë apo jo, janë kohë e humbur, ndërkohë që situata në terren agravon çdo ditë. Ia hedhin njëri-tjetrit fajin, sepse nuk kanë vullnet”.
Këto tensione favorizojnë vetëm presidentit rus, Vladimir Putin, deklaroi Rama.
“I vetmi që përfiton është ai që rri në bunkerin e tij në Kremlin. Nëse do të bëhet një imazh, me siguri Rusia do të ishte me një fytyrë të ngërdheshur”.
Top Channel