“Nuk jam kokëfortë, jam parimor”, në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, Albin Kurti, i hodhi poshtë akuzat nga ana e Brukselit dhe Uashingtonit të cilët e konsiderojnë një partner të vështirë.

“Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”, thotë kryeministri i Kosovës, i cili thekson se i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive “për të shmangur skenat triumfuese”.

Por “kryetarët e bashkisë duhet të shkojnë në zyrat e tyre, apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?, përsëriti ai. Kurti zbuloi edhe bisedat e bëra me presidentin serb Aleksandër Vuçiç gjatë takimeve në Bruksel.

“Kur e takoj zotin Vuçic më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet pash në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, të cilën megjithatë nuk e nënshkroi”, thotë Kurti.

Kurti rrëfeu se në takimin me Vuçiçin në muajin mars kishte paraqitur një draft me kushtet kryesore.

“Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Vuçiç nuk dëshiron të dëgjojë për të”, u shpreh ai.

Kurti e nënvizoi se “nuk mund të ketë besim të plotë përsa kohë nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA