Fenerbahce ka në organikë një “xhevahir” të vërtetë dhe që konsiderohet si një nga talentët më të mëdhenj të futbollit turk.
Fjala është për Arda Guler, 18-vjeçarin që ka bërë për vete klubet më të mëdha europiane.
Barcelona, Milan, Benfica, Ajax, Sevilla dhe Real Madrid kanë nisur sondazhet për fantazistin teksa madrilenët kanë bërë edhe hapa konkretë. Por, në tratativat me lojtarin ka një “ngërç”. Kjo sepse qëllimi i Real Madrid është që të firmosë me Guler dhe më pas ta lejë 18-vjeçarin edhe për një tjetër sezon në radhët e Fenerbahces në mënyrë që kur të mbërrijë në Santiago Bernabeu, fantazisti të ketë eksperiencën e duhur.
Por, ky propozim nuk i shkon për shtat Guler që kërkon të largohet që këtë verë nga Superliga turke dhe të aktivizohet në kampionatet elitare të Europës. Këtë dëshirë, Guler mund t’ia plotësoj Ajax, por edhe Sevilla që janë të gatshme ta bëjnë menjëherë pjesë të projektit.
Megjithatë, mbetet për t’u parë kundërpërgjigja e Real që e vlerëson së tepërmi Guler dhe e sheh si pjesë e strategjisë për të rinovuar skuadrën dhe për të garantuar talentët më të mirë të brezit të ardhshëm.
Klauzola e futbollistit turk është 17.5 milionë euro teksa në sezonin e fundit, Guler regjistroi 20 ndeshje me fanellën e Fenerbaches duke realizuar katër gola dhe katër asiste ndërsa është bërë pjesë edhe e kombëtares turke, madje në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2024 realizoi një gol fantastik ndaj Uellsit. /Supersport
Top Channel