Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi tha se përdorimi i drogave të forta gjatë sezonit turistik në vendin tonë është një shqetësim dhe se ka një plan të hollësishëm për parandalimin e tyre.
Ai shtoi se këto droga janë të importuara kohët e fundit, ndërsa janë marrë masa nga agjentë të policisë në bashkëpunim me burime të inteligjencës.
Policia: Pa përdorim në disa plazhe në vitet e kaluara të kësaj droge, nga persona që shfrytëzojnë vendin tonë, kemi një plan të hollësishëm, pjesë e këtij plani është në zona bregdetare, ku kemi pasur shqetësimin, janë droga janë të importuara kohët e fundit, janë marrë masa nga agjentë të policisë, nga burime të inteligjencës, është vërtet shqetësim përdorimi i drogave të cilat janë vdekjeprurëse për shkak të efektit që japin kur nuk njihen nga përdoruesit, janë marrë masa do të ketë kontrolle jo vetëm në terren, por që në hyrje do të bashkëpunojmë me struktura homologe.
Kujtojmë se në vendin tonë po qarkullon lënda narkotike GHB (Gamma- hydroxybutyrate) e cila njihet ndryshe dhe si droga e seksit.
Në fillim të qershorit policia vuri në pranga katër rinj anglezë që shpërndanin në Dhërmi kanabis, kokainë ekstazi apo GHB.
Disa ditë më pas pesë të huaj të tjerë nga Spanja, Brazili, Argjentina dhe Italia ranë në pranga të policisë me të njëjtën akuzë.
Policia u gjeti dhe sekuestroi 160 doza të lëndës narkotike GHB (Gamma-hydroxybutyrate) dhe doza të drogave të tjera të forta.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se pesë të arrestuarit kishin ardhur si turistë në Dhërmi dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.
Top Channel