Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar dy kandidaturat për kreun e partisë, ku gara më 29 korrik do jetë mes Lulzim Bashës dhe Gjergji Hanit.
Kryesia e PD bazuar dhe në relacionin e paraqitur nga sekretari ekzekutiv vendosi mbrëmjen e kësaj të enjteje që të miratojë dy kandidaturat. Referuar kundërshtive të paraqitura nga një pjesë e grupit të deputetëve por dhe sekretarit të përgjithshëm, Gazment Bardhi, kryesia thotë se e cilëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të këtyre anëtarëve me argumentin se po dëmtojnë interesat e partisë.
Lulzim Basha tashmë pritet të rikthehet edhe njëherë në krye të partisë ndonëse nuk ligjërisht nuk u largua kurrë prej drejtimit të saj. Ndërkohë nga ana tjetër përçarja mes demokratëve pritet të thellohet akoma më shumë pasi janë ndarë në tre fraksione. Zgjedhjet për kreun e ri të Partisë demokratike që disponon vulën do të mbahen në datë 29 korrik.
“Në mbështetje të nenit 45, pika 1 të Statutit të PDSh-së, dhe në zbatim të vendimeve të datave 6 qershor dhe 15 Qershor 2023, Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, bazuar në relacionin e paraqitur nga Sekretariti Ekzekutiv, vendosi miratimin e kandidaturave për zgjedhjet për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si vijon: Gjergj Tomor Hani; Lulzim Xhelal Basha.
Miratimi i kandidaturave për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorgnizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim. Gjithashtu, nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike. Ne ftojmë çdo anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike të jetë pjesë e jetës institucionale dhe t’i japë zë çdo shqetësimi që mund të ketë brenda mandatit me të cilin është ngarkuar nga anëtarësia. Mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë.”-thuhet në njoftimin e kryesisë.
Top Channel