Burg të përjetshëm ka kërkuar Prokuroria e Tiranës për Mexhit Picari, që vrau ish-dhëndrin para ambienteve të gjykatës në qershor të vitit 2021.
Për vajzën e tij, ish-gruan e viktimës, Dhurata Saliajn, Prokuroria kërkon 35 vite heqje lirie.
Mexhit Picari akuzohet si autor i vrasjes së Kudret Saliajt, ndërsa vajza e tij ish-gruaja e viktimës akuzohet si bashkëpunëtore në krim.
Armën e krimit, Picari e mori nga çanta e vajzës dhe më pas shkuan në lokalin ku ishte ulur viktima. Në tavolinë me viktimën ishte avokati i çështjes, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur. Autori dhe vajza e tij, kanë qenë në lokal në pritje të seancës gjyqësore.
Picari, pas 20 minutash, është çuar dhe ka qëlluar ndaj ish-dhëndrit të tij, Kudret Saliaj, por ka lënë të plagosur edhe ish-prokurorin Adriatik Cama, i cili mori një plumb në pjesën e djathtë të kraharorit. Vrasja ndodhi vetëm pak minuta përpara seancës gjyqësore që ai kishte me ish bashkëshorten e tij.
Top Channel