Shokon Britania e Madhe! Banka Qendrore rrit në 5% normën e interesit, tronditen ekonomistët dhe investitorët

22/06/2023 14:00

Banka e Anglisë ka tronditur ekonomistët dhe investitorët duke rritur normat e interesit me gjysmë pikë përqindjeje në 5% – niveli më i lartë që nga viti 2008.

Norma bazë e interesit e Bankës së Anglisë tani është më e larta në 15 vjet. Institucioni kryesor financiar i Britanisë së Madhe ka rritur normat e interesit në kohë dhe shifra rekord për të 13-ën herë radhazi, duke e çuar koston e huamarrjes në 5%. Megjithatë, pavarësisht kësaj Banka e Anglisë sinjalizoi mbështetje për rritje të mëtejshme.

Ekonomistët prisnin që Komiteti i Politikës Monetare të rriste normat e interesit vetëm me një çerek pikë përqindjeje, por KPM votoi me shtatë vota pro dhe dy kundër për rritjen e papritur, duke shpjeguar se synonte të vinte nën kontroll inflacionin, i cili ishte më i lartë se sa pritej.

Rritja shokuese e normës vjen pasi norma zyrtare e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar dështoi të bjerë siç pritej në maj, duke qëndruar në 8.7% – shumë më tepër sesa objektivi i Bankës prej 2%.

Në procesverbalin krahas vendimit, Banka tha se inflacioni më i lartë, veçanërisht ai i shërbimeve, nënkuptonte se duhej të vepronte më shpejt për të vënë nën kontroll çmimet. Mirëpo, me bankat e tjera qendrore anembanë botës që tani po ngadalësojnë ritmin e rritjes së normave të interesit, lëvizja do të shihet si një shenjë e mëtejshme se Britania po kthehet në diçka “të huaj”.

Mbretëria e Bashkuar ka inflacion më të lartë se çdo vend tjetër në G7 dhe pritet të shohë normat e saj të interesit në kulmin më të lartë se ekonomitë e tjera të mëdha. Tregjet presin që Banka të vazhdojë të rrisë kostot e huamarrjes në muajt e ardhshëm, me normat e interesit të planifikuara për të arritur kulmin në rreth 6% në fund të vitit të ardhshëm.

Në procesverbalin e saj, Banka përsëriti se “nëse do të kishte dëshmi të presioneve më të vazhdueshme [në inflacion], atëherë do të kërkohej shtrëngim i mëtejshëm i politikës monetare.”

Dy nga anëtarët e MPC-së, Swati Dhingra dhe Silvana Tenreyro, votuan për të lënë në pritje normat e interesit në 4.5%, duke paralajmëruar se inflacioni ka të ngjarë të bjerë me shpejtësi në muajt e ardhshëm dhe se ndikimi i plotë i normave më të larta të interesit të Bankës do ende kohë për t’u ndjerë nga ekonomia e gjerë.

Megjithatë, pjesa tjetër e komitetit votoi për rritjen e normës, një rritje që asnjë nga ekonomistët e pyetur së fundmi nga mediat financiare nuk e kishte pritur, raporton Sky News.

“Ka pasur lajme të rëndësishme pozitive në të dhënat e fundit që tregonin më shumë këmbëngulje në procesin e inflacionit, në sfondin e një tregu të ngushtë pune dhe elasticitetit të vazhdueshëm të kërkesës,” thuhet në procesverbal.

Disa do të pyesin megjithatë, nëse kjo rritje që është më e shpejtë se sa pritej, do të rrisë shanset e Britanisë së Madhe për të hyrë në recesion në muajt e ardhshëm.

Banka ende nuk i ka përditësuar parashikimet e veta dhe për të pasur një pasqyrë të plotë të kësaj problematike, pritet një përgjigje në muajin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA