Pas gati pesë orësh dëshmi, Arben Ahmetaj del nga SPAK: Sqarova pozicionin tim, do vij sa herë të duhet

22/06/2023 17:40

9 muaj pas nisjes së veprimeve hetimore dhe 5 muaj pas procedimit penal në emër të tij për 4 vepra penale, mesditën e kësaj të enjte me temperature përvëluese ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj kapërceu për herë të parë pragun e prokurorisë së posaçme, i shoqëruar nga avokati Enrik Ligori.

Për më shumë se 5 orë e 30 minuta  ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj qëndroi para prokurores së posaçme Enkeleda Munollai duke sqaruar pozicionin e tij në lidhje me akuzat për të cilat SPAk po e heton konkretisht për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Pas daljes nga prokuroria Ahmetaj ishte fjalëpak: “Sqarova pozicionin tim do të vij sa herë të më kërkojnë.

Pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK më herët gjykata e posaçme ka vendosur nën sekuestro preventive dy prona të Ahmetajt konkretisht një vilë në Hamallaj e një në Palasë.  Ambientet vilave iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në 8 mars, kontrolle të cilat u konsideruan të paligjshme dhe antikushtetuese nga Ahmetaj, por që e njëjta gjykatë, me të njëjtën trupë gjykuese, refuzoi shqyrtimin e ankimit.

Ndaj ahmetajt Spak ka nisur dy procedime të cilat tashmë janë bashkuar në një të vetëmi pari lidhet me akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me inceneratorin e Elbasanit,  dhe për pastrim parash dhe korrupsion, pas kallëzimit që i është bërë nga gazetari Adriatik Doçi. SPAK ka analizuar veprimet e Ahmetajt për procedurën e koncesionit që është dhënë në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. Prokuroria ka mbledhur prova e të dhëna, përfshirë edhe ato nga kompjuterat e sekuestruara dhe të e-maileve, që janë shkëmbyer mes Ahmetajt dhe fituesve të koncesionarit të inceneratorit të Elbasanit.

Verifikime janë bërë edhe në sistemin TIMS për të provuar lëvizjet e ish-ministrit dhe nëse përkojnë me periudhat kur dyshohet se ka frekuentuar hotele luksoze të paguara nga Klodian Zoto pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit. Ahmetaj është nga personat e fundit që pyetet për inceneratorin e Elbasanit, teksa SPAK është drejt përfundimit të hetimit për këtë çështje.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA