Kompania gjermane e tabloideve Bild ka mohuar raportet se po pushon pjesë të ekipit të saj editorial për ta zëvendësuar me inteligjencë artificiale dhe “procese të automatizuara”.
Mediet ndërkombëtare raportuan të shqetësuara se firma mëmë botuese e Bild, Axel Springer SE, po planifikonte të zëvendësonte një sërë punësh editoriale me AI, dhe për këtë bazoheshin në një email të brendshëm që kompania u kishte nisur punonjësve ku shkruhej se “nga 1 janari 2024, strategjia e Grupit Axel Springer do të jetë vetëm dixhitale ose së pari dixhitale, pastaj e printuar”.
Në referencë të kësaj çështje, drejtori i komunikimit i Bild Group, Christian Senft, i tha Cointelegraph se “raportimet janë të rreme” dhe se “me masat tona aktuale, ne nuk kemi ndërmend të zëvendësojmë gazetarinë me AI”.
Senft tha se njoftimi kishte të bënte me një program ristrukturimi për botimet rajonale të gazetave, i cili përfshin reduktimin nga 18 botime rajonale në 12 deri në fund të vitit dhe mbylljen e 10 nga 15 zyrave rajonale, pasi shumë funksione po lëvizin në qendër të Berlinit.
“Prandaj, këto detyra si sekretariatet dhe prodhimi i fotografive nuk janë më të nevojshme në rajone“- tha ai, duke përsëritur se reduktimet e lidhura me vendet e punës nuk kanë të bëjnë fare me AI.
Senft konfirmoi se lëvizjet do të prekin punonjësit në “numra të ulët treshifror”. Ai gjithashtu sqaroi se në njoftim thuhet se kompania “do të përdorë gjithnjë e më shumë AI për të mbështetur punën gazetareske”.
“Për këtë tematikë, ne kemi zgjedhur të kemi një qasje mendjehapur dhe aktualisht kemi shumë iniciativa me të cilat po eksplorojmë fushat e aplikimit të AI për markat tona gazetareske, si në proceset e prodhimit të redaksive ashtu edhe në raport me përvojën e lexuesit”- ai shtoi.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale krijon më shumë kohë dhe hapësirë për krijimtarinë gazetareske për redaktorët dhe reporterët. Kudo që AI mbështet, një gazetar gjithmonë duhet të kontrollojë dhe kontrollojë rezultatin në Axel Springer.
Tabloidi i përditshëm u themelua në qershor 1952. Në vitet 1980, Bild thuhet se shiste më shumë se pesë milionë kopje në ditë. Deri në vitin 2010, tirazhi i Bild kishte rënë në 3.55 milionë, sipas Mondo Times. Që nga viti 2022, gazeta e shtypur kishte vetëm një tirazh prej mbi një milion”, sipas Media Impact.
Zhvillimi i shpejtë i AI ka ngjallur megjithatë shqetësime për humbjet e vendeve të punës në të ardhmen.
Në maj, CEO i IBM Arvind Krishna i tha Bloomberg se 7,800 vende pune në firmë mund të zëvendësohen nga AI dhe proceset e automatizuara gjatë 5 viteve të ardhshme, shifra këto që përfaqësojnë shkarkimin e rreth 30% të fuqisë punëtore të saj.
Në një raport të 14 qershorit, firma konsulente e menaxhimit McKinsey & Co parashikoi se inteligjenca artificiale gjeneruese mund të jetë në gjendje të automatizojë plotësisht deri në 50% të të gjithë aktivitetit të punës të kryer në vendet e punës sot, duke përfshirë detyrat që lidhen me vendimmarrjen, menaxhimin dhe ndërlidhjen me palët e interesuara.
Top Channel