“SHBA mbështet të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjin”, Yuri Kim: Prishja e marrëveshjes me MEK në dorë të qeverisë shqiptare

21/06/2023 10:30

Ambasadorja Amerikane në largim, Yuri Kim ka deklaruar se është në “dorë” të qeverisë shqiptare nëse do të marrë vendimin për prishjen e marrëveshjes me pjesëtarët e MEK dhe dëbimin e tyre nga Shqipëria.

Gjatë fjalimit të lamtumirës, Kim ka mbështetur operacionin e policisë shqiptare në kampin e MEK në Manzë një ditë më parë, kur tha se SHBA “mbështet të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet në vendin e saj”.

Ashtu sikurse Ministria e Brendshme, edhe kryediplomatja amerikane nënkuptoi se “MEK ka thyer marrëveshjen”, kur tha se “ka terma të caktuara që duhet të zbatohen për çdo lloj mysafiri” në Shqipëri.

“Ky është një vendim që duhet të merret nga qeveria shqiptare. Një gjë është e qartë se ne e mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet në vendin e saj. Ka gjithashtu terma të caktuara që zbatohen për çdo lloj mysafiri në vendin tuaj. Mendoj se duhet zbatuar kjo”- tha Kim.

Mesazhit të Kim i parapriu deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili mbështeti aksionin policor për kontrolle në kampin e MEK në Manzës të Durrësit, ku janë të strehuar rreth 3.000 pjesëtarë të opozitës iraniane.

Zëdhënësi i DASH-it theksoi se SHBA-ja nuk e cilëson lëvizjen opozitare MEK si të qëndrueshme nga ana demokratike. Si rrjedhojë, sipas DASH, ata nuk e përfaqësojnë popullin iranian dhe se ka shqetësime serioze për MEK si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij.

Vlen të theksohet se, me urdhër të SPAK, afro 1 mijë efektivë zbarkuan në kampin e MEK ditën e djeshme, pasi dyshohej se aty ishin vendosur 17 godina me serverë ku kryenin sulme kibernetike ndaj institucioneve të huaja.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në një konferencë të përbashkët me kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, për raportimin e situatës së krijuar nga ndërhyrja policore në Manzë, sqaroi se anëtarët e opozitës së Iranit kanë shkelur marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë shqiptare në vitin 2014.

Top Channel