Nënsekretarja e Shtetit amerikan, Victoria Nuland i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të nisin zbatimin e zotimeve të bëra në Ohër.

Kështu është shprehur sot Nuland pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“E lumtur të mirëpres mikun e vjetër, emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Kërkojmë nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë situatën menjëherë dhe të fillojnë implementimin e zotimeve të Ohrit. Ne vazhdojmë të përkrahim planin trepikësh të BE-së, si rrugëdaljen më të mirë nga kriza.”, ka shkruar ajo në Twitter.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për marrëveshjen mes tyre më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër, në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian.

Në bazë të kësaj ujdie është nënshkruar edhe deklarata për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë, derisa palët kanë nisur diskutimet edhe për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mirëpo, bartësit institucional të Kosovës vazhdimisht kanë kritikuar Serbinë për qasje destruktive në dialog dhe moszbatim të marrëveshjes, e cila sipas tyre është dëshmuar me votimin kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropës.

Në anën tjetër, tensionet në veri kanë nisur prej datës 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet e komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës.

Top Channel