Për herë që prej përplasjeve të fundit të muajit maj, kreu i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, pohoi se falë ndërhyrjes së trupave të NATO-s, në veri të Kosovës u arrit të shmangej një masakër.
“Ne arritëm të shpëtojmë 15 policë të bllokuar mes turmës”, ka rrëfyer ai në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve, AGI.
“Arsyeja përse situata nuk degjeneroi në 29 maj i detyrohet faktit që ishim të përgatitur shumë mirë. Ushtarët tanë vepruan me shumë profesionalizëm. Unë dua të shpreh mbështetjen time të plotë për të lënduarit tanë dhe familjarët e tyre. Ata vepruan në mënyrë aq profesionale sa mundën ta menaxhonin forcën që të mos përshkallëzohej situate. Kështu shpëtuam 15 policë të Kosovës dhe frenuam përplasjen mes dy palëve, në të kundërt do të ishim përballur me një problem krejt të ndryshëm”, tha kreu i KFOR Angelo Michele Ristuccia.
Ndërkohë që prania e KFOR-it në Kosovë pritet të rritet, Ristuccia thotë se janë gati të përballen “me çdo lloj rrethane”, dhe për këtë, po marrin forca shtesë.
“ Ne nuk reagojmë, ne veprojmë, jemi të organizuar, të trajnuar dhe të pajisur për t’i bërë ballë të gjitha sfidave që lidhen me kryerjen e detyrës”, u shpreh ai. Ristuccia e cilësoi një akt burracak dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it nga ai që i përshkroi si një numër i vogël “ngatërrestarësh agresivë që përdorën çdo mjet për të bërë dëm, duke nisur nga ofendimet e deri në kufirin e vdekjeprurëses”.
Ai e përshkroi situatën aktuale si shumë komplekse, të tensionuar dhe të paqëndrueshme edhe pse në pamje të parë mund të duket e qetë.
Top Channel