116 mësues të edukimit fizik kanë nisur sot trajnimin në fazën e parë të programit “Futbolli për Shkollat”, që po realizohet në bashkëpunim me FSHF dhe FIFA.
Nga Polonia, ku ndodhet për të mbështetur 11 sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Evropiane, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përshëndeti nisjen e këtij trajnimi.
Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Ministrja Kushi thotë se ky bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me Federatën Shqiptare të Futbollit, të mbështetur nga FIFA, ka si qëllim identifikimin dhe mbështetjen e talenteve të reja, por edhe mbështetjen e familjeve shqiptare që t’i angazhojnë fëmijët me sport për një jetë të shëndetshme.
“Ju uroj shumë suksese për këtë trajnim dhe dua të shpreh mbështetjen e MAS, për mbarëvajtjen e trajnimit, por mbi të gjitha për zbatimin sa më të suksesshëm te programit vitin e ardhshëm shkollor.
Futbolli është sporti më i dashur e popullor kudo në botë, dhe unë e kam parë nga afër edhe pasionin dhe vullnetin e nxënësve tanë. Por dua të theksoj që programi zhvillon jo vetëm futbollin në aktivitetet jashtëshkollore, por gjithashtu nxit edhe shume vlera të rëndësishme tek ata: krijon besim në vetvete dhe disiplinë; rrit bashkëveprimin social; përmirëson performancën e nxënësve në procesin e të mësuarit; promovon gjithëpërfshirjen dhe mundësitë e barabarta, duke mbështetur pjesëmarrjen e vajzave por edhe nxënësve me aftësi ndryshe”.
Tre përfaqësues të FIFA-s kanë mbërritur tashmë në Tiranë për të zhvilluar këtë seminar 3 ditor me 116 mësuesit e edukimit fizik. Në këtë seminar, përfaqësuesit e FIFA-s do të diskutojnë tema të ndryshme dhe do të prezantohet aplikacioni i këtij programi. Ndërkohë këta mësues do të zhvillojnë edhe pjesën praktike të trajnimit me rreth 200 fëmijë.
Top Channel