Ende nuk ka një datë për takimin Kurti-Vuçiç, Stano: Nuk është koha për spekulime

21/06/2023 17:07

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë datën për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç pas ftesës që morën nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell, edhe pse kanë mbetur vetëm pak ditë.

“Gjëja kryesore tani është që takimi të bëhet në Bruksel dhe për këtë nuk kam asnjë lajm. Nuk jam në gjendje të konfirmoj ende ndonjë datë, sot është e mërkurë dhe deri në fund të javës kemi edhe pak ditë, por për momentin nuk mund të konfirmoj asnjë datë ende”, tha Peter.

Sipas zëdhënësit të BE-së, nuk ka kohë për të humbur dhe se duhen veprime konkrete.

“Kryesorja është të kemi një datë dhe të kemi një kohë të caktuar për të zhvilluar takimin sepse nuk kemi kohë për të humbur dhe tani është koha për veprim, jo për biseda dhe spekulime”, shtoi më tej ai.

Të dy liderët e palëve në konflikt u ftuan nga Borell për takim të nivelit të lartë në Bruksel, ndërsa përgjigjja pozitive e pranimit të kërkesës është dhënë vetëm nga kryeministri Kosovës Albin Kurti.

Pas situatave të tensionuar shumë në veri të Kosovës, ndërkombëtarët shohin si zgjidhjen e vetme takimin mes tyre. SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë vazhdimisht thirrje për tërheqjen e palëve nga veriu, por pa asnjë rezultat deri më tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA