Ambasadorja amerikane në largim, Yuri Kim mbajti sot fjalimin e lamtumirës para gazetarëve.
Kim është emocionuar teksa ka rrëfyer përvojën e saj gjatë detyrës në vendin tonë. Përvoja ime në Shqipëri më ka ndryshuar në shumë mënyra, tha ajo.
“Dua t’ju shpreh diçka personale. Përvoja ime këtu më ka ndryshuar në shumë mënyra. Do të largohem me respektin e thellë për traditat tuaja, me mirënjohje për dashamirësinë dhe mirësinë tuaj. Do të largohem nga këtu me një shpresë më të madhe për këtë tokë të shqiponjës.
Shumë faleminderit… Në këtë përballjen time me ju, ndihem shumë e emocionuar”.
Sipas Kim, aktualisht marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë janë më të forta se kurrë.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së nuk kanë qenë kurrë më të forta. Ne kemi bërë përparim historik në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Jam krenare që isha këtu për disa hapa të rëndësishëm”.
Diplomatja amerikane foli për mundësinë që shqiptarëve të mos u duhen më viza për të udhëtuar drejt Amerikës në të ardhmen.
“Vitin e kaluar përkujtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Njoftuam se qytetarët kualifikohen për viza amerikane të vlefshme për 10 vite, jo më 3. Në vitin e parë që e zbatuam, mbi 24 mijë shqiptarët morën viza amerikane. Ky është një hap i madh për lidhjen në udhëtimet dhe bizneset për vendet tona. Do të vijë dita besoj që s’do të kërkohet fare vizë. Jam krenare për përparimin që kemi bërë së bashku.
Kemi bërë hapa të mëdhenj për të çuar para partneritetin tonë, kemi shumë ende për të bërë, por përparimi do të na frymëzojë të gjithëve”.
Në fund të mandatit të saj si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim ka marrë detyrën e re në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku do të mbajë detyrën e krye zëvendës ndihmës sekretares për Çështjet Evropiane. Zyrtarisht, Kim do ta marrë detyrën e re në 10 korrik.
Ndërsa pas largimit të Kim, diplomacinë amerikane në Tiranë do ta përfaqësojë David J. Kostelancik, i cili ka shërbyer edhe më parë si diplomat në vendin tonë.
Top Channel