Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon kritikat ndaj ndërmjetësve të dialogut, në prag të takimit të mundshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel. Sipas partisë në pushtet, qasja e përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak është e padrejtë ndaj Kosovës.
Deputetja e mazhorancës, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se Borrell dhe Lajçak po dëshirojnë ta dërgojnë dialogun në temat që i leverdisin presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Prandaj, sipas saj, ky i fundit përmes strukturave kriminale po krijon tension në veri në mënyrë që të nxjerr diçka prej këtyre situatave.
“Jam shumë e zhgënjyer dhe dëshpëruar prej qasjes që kreu i politikës së jashtme të BE-së ka treguar karshi krejt këtij procesi. Për mua vlerat e BE-së janë shumë më shumë përtej kësaj që ne kemi parë kohët e fundit, në veçanti me qasjen e pabarabartë që është treguar në raport me Kosovën dhe Serbinë”, thotë ajo.
Sipas deputetes Kryeziu-Hyseni, ftesa për takim të nivelit të lartë në Bruksel është e vonshme.
Sipas kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, situata në veri po dëshmon se Serbia asnjëherë s’ka qenë e gatshme për të shkuar drejt normalizimit të raporteve, aq më pak drejt njohjes reciproke.
Bashkimi Evropian po pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të pranojnë ftesën për takim në Bruksel, pa vendosur asnjë kusht.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të shkojë në Bruksel për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kurti tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Bashkimit Evropian për takim të nivelit të lartë gjatë kësaj jave, siç tha ai për t’iu dëshmuar agresionin serb në Kosovë pas rrëmbimit të tre policëve.
Ai tha se de-eskalimi i situatës që po e kërkojnë ndërkombëtarët, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre policëve kosovarë dhe dënimin e agresionit serb nga bashkësia ndërkombëtare.
Ndërsa, presidenti serb, ish-ministri i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiç, u shpreh se nuk do të bisedojë me kryeministrin e Republikës së Kosovës derisa të lirohen serbët e arrestuar të cilët dyshohen për vepra kriminale, si dhe të largohen kryetarët e zgjedhur më 23 prill e të tërhiqet njësia speciale.
Top Channel