Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç pas ftesës që kanë marr nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell për një takim këtë javë.

Stano tha se shpresojnë që sa më shpejtë të konfirmohet takimi i mundshëm, edhe pse javës i kanë mbetur edhe pak ditë.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, ku grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Ndërkaq, më 14 qershor, tre policë kufitar të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit. Të premten atyre i është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Kralevë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës në terren, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

Top Channel