Shqipëria, në Ishujt Faroe nis “fluturimi” drejt Gjermanisë!

20/06/2023 08:35

Në entuziazmin e një fitoreje që karikon vetëbesim, Shqipëria e futbollit është gati për misionin e radhës.

I duhet të pushtojë futbollistikisht Ishujt Faroe në një sfidë ku fitorja është detyrim i panegociueshëm.

Mbrëmja magjike e së shtunës për tifozët është për tu mbajtur mend, por për protagonistët kuqezi është arkivuar shpejt pasi po kaq shpejt vjen misioni i radhës.

Nga atmosfera fantastike e “Air Albania”, në Torshawnin e largët, në stadiumin Torsvollur 6 500 vendësh, për t’i dhënë vlerë asaj fitoreje ndaj Moldavisë duhet një sukses ndaj ishujve Faroe, për të rritur kuotat e kualifikimit në Euro 2024.

Për Sylvinhon dhe mbi të gjitha grupin kuqezi, nga ajo fitore mbetet morali i duhur për një tjetër sfidë që pavarësisht parashikimeve në letër, në fushë mund të rezultojë më e vështirë nga sa pritet.

Edhe pse përfaqësuese e një vendi të vogël, Ishujt Faroe dinë të bëjnë surpriza, kanë barazuar me Moldavinë në këtë fushatë, ndalën në Prishtinë edhe Kosovën, ndërsa në Nations League ditën të merrnin një fitore ndaj Turqisë.

Përfaqësues të futbollit nordik, me një skuadër fizike për Shqipërinë është një tjetër lloj testi, ku më shumë se sa lodhja e një udhëtimi të gjatë me ndeshjen e dytë brenda pak ditësh, më shumë mund t’i vërë në rrezik gjërat euforia, një ndjesi absolutisht për t’u evituar.

Ndaj Moldavisë formacioni kuqezi demonstroi se di të çajë edhe skuadrat e orientuara drejt mbrojtjes, edhe pse zgjidhja erdhi falë iniciativave individuale të Asanit e Nedim Barjamit.

Me nota pozitive nga individët dhe grupi pas asaj paraqitjeje ndaj Moldavisë, Sylvinho ka gati kartat për një tjetër fitore me peshë.

Shqipërisë i duhet të shfrytëzojë momentin, në krahët e një ëndrre të madhe që konkretizohet hap pas hapi, ku më i rëndësishmi tani është pikërisht ai ndaj Ishujve Faroe për të mbyllur si duhet një qershor që forcon flatrat e Shqipes në një udhëtim epik drejt Gjermani 2024. Një fitore për të na bërë të gjithëve me krahë! /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA