Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është i gatshëm të shkojë në Bruksel për takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Kurti tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Bashkimit Evropian për takim të nivelit të lartë gjatë kësaj jave, siç tha ai për t’iu dëshmuar agresionin serb në Kosovë pas rrëmbimit të tre policëve.
Ai tha se de-eskalimi i situatës që po e kërkojnë ndërkombëtarët, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre policëve kosovarë dhe dënimin e agresionit serb nga bashkësia ndërkombëtare.
“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe po, jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, në mënyrë që të paraqesë hollësisht të gjitha këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që de-eskalimi i situatës që po kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre policive dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë. Ndërkaq, normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të marrëveshjes bazike. Jam shumë i interesuar që ta paraqes gjithë dokumentacionin e Kosovës për këtë krim që është bërë ndaj tre policëve, ndaj familjeve të tyre dhe Republikës sonë. De-eskalimi drejt paqes nënkupton drejtësi dhe ne duam drejtësi edhe ndërkombëtare, jo veç vendore, atë vendore e bëjnë organet tona”, tha Kurti.
Në konferencë për media të martën, Kurti përsëriti qëndrimin e tij se për themelimin e Asociacionit fillimisht duhet të ketë pajtim për parimet e tij, pastaj ai do të shkruante draft-statusin e tij.
“Sa i përket zbatimit të marrëveshjes bazike e ka në qendër njohjen reciproke de facto, e kuptoj që neni 10 i referohet të gjitha marrëveshjet të deri më tanishme, por ende më e rëndësishme është neni 7 që flet për vet menaxhimin e komunitetit serb. Unë kam ofruar që ta bëjmë draftin për këtë gjë, por duhet të pajtohemi me parimet. Nuk mund të shkruajmë tekste të zhanreve e kuptimeve ekstremisht të kundërta sepse nuk zgjidhet asgjë. Duhet të pajtohemi për frymën dhe karakterin e tekstit, dhe lirisht e shkruaj atë draft-status. Problemi është që presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që ka thënë po marrëveshjes bazike, andaj janë gjithë këto kriza. Ai në një konferencë për media, ai ka shkelur në mënyrë kapitale dyfish marrëveshjen, tash kemi këto probleme që njëra palë nuk dëshiron t’i zbatoj. Andaj, në zbatimin e saj nuk mund ta vendosim “qerren para kuajve. Prandaj, dua të kemi takim të nivelit të lartë, ku sekuencimin e balancuar dhe fer e trajtojmë me seriozitet”, shtoi ai.
Duke komentuar deklaratat e emisarit të ShBA-ve, Gabriel Escobar, se në rajon ka liderë që mbijetojnë përmes krizave, Kurti tha se nëse i interesojnë dikujt krizat dhe lufta atëherë është Beogradi zyrtar.
“Se kah mund të shkojë kriza në veriun e Kosovës nëse nuk de-eskalon nuk mund ta dijë sot, por e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejt e përzierjes së Beogradit në punë të brendshme të Kosovës, herë me politikan që rrinë afër me krimin e organizuar, herë me krimin e organizuar që synon të politizohet, por qartazi faktorin dhe burimin e eksalimit do ta gjeni atje. Nëse ka të drejtë emisari amerikan, Escobar, atëherë adresa ku do duhej të merreni është me siguri Beogradi. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë mbijetese të Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe para zhvillimeve në veri dhe pas tyre, Qeveria e ka retingun rekord në Kosovë. E keni keqkuptuar, sepse emisari evropian Lajcak do ta ketë pas për Vuciqin, sepse atje ka demonstrata me dhjetëra, mijëra qytetar. Nëse i interesojnë dikujt krizat, gjakderdhjet e lufta është Beogradi. Atje ka demonstrata kundër pushtetit që kërkojnë dorëheqjen e presidentit dhe aty mund të ketë interes që të mbijetohet kriza. Në Kosovë ka krizë për rendin dhe ligjin në veri dhe jo për qeverinë, kjo nuk vlen për mua”, theksoi Kurti.
Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se për disa tema nuk pajtohem plotësisht me partnerët ndërkombëtar, por në thelb për temat si siguria afatgjate në rajon janë të një qëndrimi.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm për të gjitha temat që na shqetësojnë edhe ne si institucione të Kosovës por edhe partnerët tanë. Është e vërtetë që për disa tema ndoshta nuk pajtohemi plotësisht, por në bazë pajtohemi për të gjitha temat, ato janë paqja dhe siguria afatgjate në rajonin tonë. Entuziazmin për njohje të reja në dy vite të qeverisjes nuk është se e kam parë, jemi përpjekur në te gjitha mënyrat tona dhe do të vazhdojmë me këmbgulje së bashku me partneret tanë të gjejmë rrugët për të realizuar njohje të reja. Njohjet e reja, në fakt ndonjë entuziazëm i madh përveç pesë shteteve të BE-së edhe nuk është se mund të pritet nga opinioni, sepse ato shtete të cilat nuk kanë pasur pengesa për të njohur Republikën e Kosovës e kanë bërë këtë gjatë 15 viteve të kaluara. Nuk është habi që ky entuziazëm nuk do të jetë prezent as gjatë debateve dhe diskutimeve që kemi gjatë këtyre ditëve. Është detyrë e jona të vazhdojmë përpjekjet tona, sot ka qenë bisedat fundit që kam zhvilluar për njohjet e reja, nuk ndalemi në atë drejtim”, tha Gervalla.
Top Channel