Thibaut Courtois është shndërruar në një çështje në kombëtaren e Belgjikës duke qenë se pas ndeshjes me Austrinë, portieri la grumbullimin.
Mediat pretenduan se bëhej fjalë për një hatërmbetje të gardianit të Real Madrid me trajnerin Domenico Tedesco, i cili në mungesë të Kevin De Bruyne i kaloi shiritin e kapitenit Romelu Lukakut.
Një vendim që nuk u miratua nga Courtois, teksa në konferencë për shtyp para ndeshjes me Estoninë trajneri Tedesco konfirmoi mediat duke theksuar se Courtois ishte larguar pikërisht për çështjen e shiritit të kapitenit. Gjithsesi, këtë version e hedh poshtë vetë portieri 31-vjeçar i cili del kundër teknikut Tedesco ndërsa shprehet se ai u largua nga kombëtarja për shkak të një dëmtimi në gju.
“Jam shumë i zhgënjyer me ato që thotë trajneri pasi nuk tregohet e vërteta. Të jesh apo të mos jesh kapiteni i Belgjikës nuk është një çështje që reflekton dëshirën personale të dikujt, për këtë vendos trajneri dhe më pas është ai që i thotë vendimet skuadrës. Këtë kam dashur t’ia bëj të qartë edhe trajnerit, por mesa duket nuk e ka kuptuar dhe kjo do të thotë se unë nuk e kam arritur qëllimin tim.
Kam bërë një kontroll së fundmi sepse kisha probleme me gjurin. Stafi mjekësor i klubit tim si dhe ata të kombëtares kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe në fund dolëm në përfundimin se do të ishte më mirë që të mos e vazhdoja grumbullimin me kombëtaren”, shprehet Courtois./ Super Sport
Top Channel