Arabia Saudite kërkon medoemos të bëhet një faktor në futboll.
E tentuan me merkaton dhe në Lindjen e Mesme po ia dalin pasi deri më tani aty janë transferuar futbollistë si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema e N’golo Kante ndërsa priten të tjera lëvizje të bujshme deri në fundin e kësaj dritareje të merkatos.
Pa lënë mënjanë faktin se arabët synojnë të organizojnë edhe Botërorin e vitit 2030, ndërkohë që së fundmi sipas asaj që raporton e përditshmja italiane, “Tuttosport” po tentojnë t’i bëjnë “presion” UEFA-s me Superligën. Pikërisht, kompeticionin të cilin UEFA e lufton më së shumti pasi kërkon të mbajë vëmendjen të gjithën për Champions Leaguen.
Arabët synojnë të përfitojnë në rast se UEFA përjashton Barcelonën dhe Juventus nga kompeticionet e saj, duke i ftuar dy gjigandët e Europës në kompeticionin e tyre aty ku ata do të “joshnin” për të marrë pjesë edhe klube të tjera europiane të cilat nuk do të ishin të kualifikuara në Champions League.
Sigurisht, ky është një plan që për momentin mbetet vetëm në letër, por që edhe njëherë konfirmon faktin se tashmë në Arabi e kanë marrë seriozisht futbollin dhe në vitet e ardhshme do të tentojnë të fitojnë gjithnjë e më shumë terren ndaj futbollit europian.
Top Channel