​Rrëfimi i tre policëve, Kurti: Dëshmohet se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës

20/06/2023 16:59

Tre policët e rrëmbyer nga Serbia më 14 qershor, sot janë vizituar në qendrën e paraburgimit në Kralevë, nga shefi i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari.

Këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili tha se në bazë të deklaratave të tyre, por edhe provave që kanë institucionet e Kosovës, dëshmohet se ata janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Prandaj, kreu qeveritar kërkoi nga aleatët ndërkombëtar dhe NATO, të denoncojnë agresionin serb ndaj Kosovës, derisa theksoi nevojën për lirimin e menjëhershëm të tre policëve.

“Ambasadori Jashari sot i ka vizituar policët që po mbahen peng nga Serbia, i ka vizituar ndaras njërin pas tjetrin. Përshkrimi i tre policëve sesi ka ndodhur rrëmbimi është i njëjti. Janë tri rrëfime ndaras identike të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit me 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar duke ngrenë drekë, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer. Që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori Jashari. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që dëshirojnë të jenë skeptik për të drejtën e Kosovës se Serbia ka krijuar agresion më 14 qershor dhe ka rrëmbyer tre policët tanë”, tha Kurti, në konferencën për medie të martën.

Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se tre policët e rrëmbyer kanë deklaruar se nuk janë maltretuar fizikisht.

“Pas kidnapimit të tyre ata janë dërguar brenda territorit të Rashkës, ku pas rreth 1 ore kanë ardhur forca të tjera të sigurisë së Serbisë dhe i kanë dërguar ata diku në Beograd. Atje janë mbajtur deri më 16 qershor kur ka skaduar afati prej 48 orësh të mbajtjes së polici, kanë theksuar se gjatë kësaj periudhe 48 orëshe nuk janë maltretuar fizikisht, por nuk i është dhënë ushqim i mjaftueshëm, vetëm nga 1 copë bukë dhe jo më shumë. Ndërsa zotëri Mustafaj që ka problem kronike shëndetësore i është dhënë vetëm një injeksion dhe një pompë për frymëmarrje… Sipas tyre trajtimi nga ana e personelit të burgut (në Kralevë) dhe stafit tjetër është korrekt, atyre iu jepet ushqim në baza ditore edhe pse cilësia sipas tyre është jo e mirë… Përmes ambasadorit Jashari dhe kontaktit me familjen e tij do të përpiqemi që sa më shpejt të sigurojmë medikamentet me qëllim që zotëri Mustafa të ketë medikamentet e nevojshme”, tha ajo.

Kryediplomatja tregoi në detaje rrëfimin e tre policëve sesi ka ndodhur rrëmbimi i tyre.

“Me rastin e sulmit ndaj tre policëve të Republikës së Kosovës, zotëri Sefaj ka theksuar se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur armët në ajër, sipas të gjitha gjasave, mendoj ai për të shkaktuar panik tek oficerët policorë dhe për të bërë më të vështirë rezistencën e tyre. Në momentin e kidnapimit tre policët kanë qenë duke ngrënë drekë në tavolinën e improvizuar e cila menjëherë është afër gropës së parë dhe afër 15 metra larg gropës së dytë. Sa për sqarim ato ndodhen në veri për të bllokuar rrugët ilegale të automjeteve që sjellin mallra të kontrabanduara. Të dy gropat janë në territorin e Kosovës dhe së paku 200 metra larg kufirit me Serbinë”, theksoi ajo.

I pyetur nga gazetarët, Kurti konfirmoi se gjatë ditës sotme edhe një përfaqësues i Zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë ka vizituar gjashtë të arrestuarit në veri që po mbahen në paraburgim.

“Së pari nuk ekziston kurrfarë barazimi. Ne konsiderojmë qe burgosurit kanë të drejta, janë të privuar nga liria por nuk janë pa të drejta. Ne nuk dëshirojmë që të burgosurit pa dallim etnie t’i privojmë nga e drejta për vizitë. Pra, edhe nëse nuk do të ishte e mundshme që të vizitoheshin tre policët tanë, ne nuk do të hakmerreshim duke mos e lejuar vizitën në Kosovë. Këtu respektohen të drejtat e të burgosurve. Ne nuk i bëjmë dënimin e dytë të burgosurve përveçse janë në burg edhe t’i diferencojmë brenda sipas pazareve politike sikur mund të mendoj dhe veproj një shtet autokratik”, theksoi ai

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA