Ishujt Faroe ndodhen në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik dhe janë një territor vetëqeverisës i Mbretërisë së Danimarkës.
Ishujt Faroe kanë një shtrirje prej 1400 kilometrash katror dhe përbëhen nga 18 ishuj kryesorë, ndërsa janë gjithsej 779 ishuj në të gjithë sipërfaqen, megjithatë vetëm 0.5% e kësaj sipërfaqe është e mbuluar nga uji. Sa i takon historisë, në vitin 2005, Ishujt Faroe fituan autonominë nga Mbretëria e Danimarkës. Sipas statistikave të fundit të publikuara në vitin 2020, popullsia e këtij vendi arrin në 54 mijë banorë. Zona më e zhvilluar e Ishujve Faroe është Torshavn, që është dhe kryeqyteti i këtij vendi.
Pikërisht ky do të jetë vendi ku Kombëtarja e Shqipërisë do të kërkojë tre pikët e radhës në kualifikueset e kampionatit europian. Përballë do të kenë një kundërshtar që në letër konsiderohet modest nga shumë arsye, duke nisur nga fakti se pjesa më e madhe e lojtarëve luajnë në kampionatin vendas, por dhe vlerat e tyre. E gjithë skuadra që është grumbulluar për ndeshjet e muajit qershor arrin vlerën e 3.48 milionë eurove, ndërkohë që 8 lojtarë të skuadrës së Shqipërisë kanë vlerë më të lartë sipas transfermarkt.
Ishujt Faroe pavarësisht se mund të konsiderohen një skuadër modeste, janë një kundërshtar që duhen patur kujdes, për vetë faktin se në vitet e fundit kanë arritur që të bëjnë surpriza. Në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve ata mundën Turqinë, ndërkohë që në 2014 kanë arritur që të fitojnë dhe ndaj Greqisë, si disa prej rezultateve më të suksesshme të tyre. Pak kohë më parë, Ishujt Faroe barazuan 1-1 edhe ndaj Kosovës, ndërkohë që kjo është hera e parë që përballen me kuqezinjtë.
Statistikat flasin krah Shqipërisë, ndaj një kundërshtari që në letër konsiderohet dukshëm inferior, por që kurrsesi nuk mund të merret si i tillë në fushën e lojës.
Top Channel