Situata e tensionuar në veri të Kosovës do ta çojë në Washington të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, në mesin e përpjekjeve të shtuara të ndërkombëtarëve për të gjetur sa më parë një zgjidhje e për t`i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve.

“Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel mbi ndalesën time të fundit në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës më pas në selinë e NATO-s, u takova edhe me zv/sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës.

Të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve. Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së. Tani, do të shkoj në Uashington DC 🇺🇸 me ftesë të partnerëve amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm që do të ndërmarrin”, sqaroi Lajcak përmes një postimi në Facebook.

Përpjekjet për ta ulur sërish Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiçi përballë njëri-tjetrin, kanë hasur në vështirësi. Kryeministri kosovar u shpreh se ende nuk e ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel dhe pritet ta javë përgjigjen këtë radhë. Por pas tij, të njëjtën përgjigje dha edhe presidenti serb, i cili gjithashtu nuk e ka ndarë mendjen nëse do të marrë pjesë në takimin e thirrur për menaxhimin e krizës në Kosovë, duke i quajtur të pakuptimta bisedimet me Kurtin.

Vuçiç i bëri këto komente gjatë një konference për shtyp në Beograd, ku nuk dha shenja se është i gatshëm t’i lirojë tre policët që po mbahen në Serbi që nga 14 qershori megjithatë thirrjet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Top Channel