Spanja ngre një tjetër trofe evropian dhe këtë radhë bëhet fjalë për atë të Nations League.
Pasi humbi në finalen e edicionit 2020/21, La Roja arriti të triumfojë në edicionin e këtij viti pasi mundi në finale Kroacinë në një ndeshje të luftuar që u zgjidh vetëm pas serisë së penalltive 5-4 pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi 0-0
Ishte Spanja ajo që e nisi më mirë ndeshjen teksa dha sinjalin e parë me Gavin, topi i gjuajtur prej të cilit përfundoi shumë pranë shtyllës së portës kroate, por me kalimin e minutave ishte Kroacia ajo që filloi të shfaqej më e rrezikshme dhe arriti të krijojë raste shumë të mira me Kramaric dhe Pasalic. Gjithsesi, kjo pjesë e parë u mbyll me barazimin pa gola 0-0.
Historitë nuk ndryshuan as në pjesën e dytë ku rastet më të mira i krijoi Spanja me Ansu Fatin dhe Asension, kështu që skuadrat iu drejtuan 30 minutave të kohës shtesë. Por edhe ky fraksion nuk solli asgjë të re pasi edhe në këtë rast asnjë prej skuadrave nuk ishte në gjendje që të zhbllokonte rezultatin, kështu që fati i kësaj finaleje u përcaktua nga lotaria e penalltive.
Në këtë seri ishte portieri Unai Simon që u bë heroi i skuadrës së De la Fuentes teksa priti gjuajtjet e Maier dhe Petkovic, ndërsa te Spanja nuk ndikoi gabimi i Laporte, se Carvajal në gjuajtjen e fundit e dërgoi topin në rrjetë duke i dhuruar triumfin në Nations League skuadrës spanjolle
Top Channel