Humanistja britanike, Sally Becker ka ndihmuar gratë dhe fëmijët gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje. Ani pse ishte burgosur, plagosur e rrahur, ajo nuk ishte ndalur së ndihmuari, në veçanti fëmijët refugjatë.
Becker tregon për KosovaPress rrugën nëpër të cilën ka kaluar, sfidat dhe përjetimet e saj gjatë misionit humanitar në Kosovë.
Misioni i saj në Kosovë kishte nisur në vitet e 90-ta, kur po sillte ndihma për nënat dhe fëmijët, e kur kufijtë ishin mbyllur, ajo ishte ngjitur në këmbë për të sjellë ilaçe për fëmijë në Junik.
Ajo tregon se deputeti Hydajet Hyseni e kishte ndihmuar që t’iu shpëtonte snajperëve.
Becker: Pas mbylljes së kufijve e vetmja rrugë për te refugjatët ishte nga Shqipëria veriore.Unë mbaj mend ndoshta çdo detaj, sepse ngjarja është e ngulitur në mendjen time. Fillimisht po sillja ndihma humanitare në rajonin e Kosovës dhe më pas, me përshkallëzimin e luftës, u mbyllën kufijtë dhe e vetmja rrugë për të arritur te refugjatët ishte nga Shqipëria veriore, sepse mijëra njerëz po iknin nga lufta. Kështu që morëm rreth 10 kamionë të mbushur me ndihma humanitare, ua dorëzuam ndihmat refugjatëve dhe më pas më pyetën nëse do t’i merrja disa nga barnat e fëmijëve përtej kufirit në Junik të Kosovës dhe e vetmja rrugë në atë kohë ishte përmes maleve. Kështu shkova në këmbë dhe ilaçet i barten në shpinë të një gomari…
Na duhej të kalonim matanë gjatë natës. Unë kisha një udhërrëfyes, por ishte errësirë dhe na u desh të vraponim për të shmangur nën patrullat. U rrëzova, këputa ligamentet në kyçin e këmbës duke kaluar një përrua, ishte me të vërtetë, njerëzit thonë se gjithçka është një makth, por ky ishte vërtet një makth dhe unë ende mendoj për të tani. Dhe, kur arritëm në Junik, i dërguam ilaçet, më kërkuan të shkoja në disa nga fshatrat e largët, në Nec dhe Smolicë dhe atje duhej të shkonim, përgjatë rrugës kisha nja dy njerëz, vendas, të cilët më ndihmonin, duke përfshirë njërin që tani është deputet në parlament.
Ndonëse me këmbë të lënduar, ajo nuk ishte ndalur dhe sot ende ndjen makth nga ajo që kishte përjetuar në Kosovë, kur regjimi i Millovesheviqit ishte në kulmin e egërsisë së vet.
Becker: Na çuan në disa ndërtesa që ishin garantuar, fëmijët jetonin në bodrume të lagështa. Gjithsesi, më çuan në këto ndërtesa që ishin garantuar vetëm disa ditë më parë dhe aty gjetëm shumë fëmijë që jetonin në bodrume të lagështa dhe të errëta me nënat e tyre, të strehuar nën rrënojat e shtëpive të tyre, dhe disa prej tyre u plagosën, disa ishin të sëmurë dhe një vajzë e vogël tre vjeç po verbohej dhe ata më pyetën nëse mund t’i nxirrja jashtë në mënyrë që të merrnin trajtim mjekësor, sepse zona tani ishte e rrethuar dhe ata çdo ditë prisnin se do të sulmoheshin. E vetmja rrugëdalje, natyrisht, ishte kthimi nëpër male, kështu që u nisëm të nesërmen në mëngjes dhe ecëm nga agimi deri në muzg.
Disa nga fëmijët i mbanin mbi gomarë, sepse nuk ishin në gjendje të ecnin. Nënat mbanin bebet. Ishte vështirë, një rrugëtim shumë i vështirë dhe shqetësues, sepse unë kisha përgjegjësi për 24 gra dhe fëmijë. Dhe më në fund arritëm në maje, pastaj u ulëm në buzë të pyllit që ata të pushonin, në mënyrë që nënat të ushqenin foshnjat dhe fëmijët të mund të hanin disa biskota, të pinin pak ujë dhe askush nuk ishte i shqetësuar.
Por, kjo situatë qetësie ndonëse në kushte të vështira, nuk kishte zgjatur. Humanistja britanike tregon sesi pas pak kishin dëgjuar zhurmën e mitralozëve dhe granatave që kishin shpërthyer aty pranë.
Becker: Befas dëgjuam zhurmën e mitralozëve dhe granatat
Dhe pastaj befas dëgjuam zhurmën e mitralozeve dhe granatat po shpërthenin dhe të gjithë vrapuan përsëri në drejtim të pyllit, por kur u ktheva, pashë një grua, Hanën, me dy nga fëmijët e saj, një foshnjë të quajtur Dorentina, e cila ishte 16 muajshe dhe një 10-vjeçare e quajtur Drita. Ato u bllokuan mes të shtënave me armë zjarri, unë arrita të shkoja tek ato dhe ne qëndruam atje, duke i mbuluar fëmijët për më shumë se një orë, dhe mbi kokë kishim një helikopter. Pati shpërthime dhe me të vërtetë mendova se do të vriteshin, foshnja bërtiste gjatë gjithë kohës ‘mami, mami’, ajo ishte aq e frikësuar. Dhe pastaj mendova se ato do të vdesin poshtë pemës nëse unë nuk bëj diçka. Kështu që kur helikopteri u largua dhe ishte më qetë, thirra “nema pucaš” – ‘pushoni së shtëni, janë gra dhe fëmijë’ dhe si për mrekulli gjithçka u qetësua dhe dikush në anglisht më tha ‘dil me duart lartë’.
Kështu bëra dhe ai më tha se është në rregull, mund t’u thuash të tjerëve të vijnë. Kështu i thirra Hanës që të dilte me fëmijët dhe ata u kujdesën për ta. Ata vunë batanije rreth krahëve të tyre, u dhanë fëmijëve ushqime dhe ëmbëlsira. Dhe më pas u marshova përsëri në pyll nga njëri prej ushtarëve, ai tha ‘thuaju të tjerëve të vijnë’. Duke parë që po kujdeseshin për ta, nuk u shqetësova dhe thirra me zë, ‘është në rregull, mund të dilni tani, hajdeni’, por asgjë, nuk u dëgjua, as një tingull. Kështu që thirra përsëri, dhe asgjë. Dhe pastaj ai mori armën e tij dhe më goditi me armë dhe tha, thuaju nëse nuk dalin tani, unë do të të qëlloj dhe në vend që të trembesha u zemërova shumë sepse ishte një udhëtim shumë i gjatë. Më dhimbte kyçi i këmbës, fëmijët, ulërimat, trauma e gjithçkaje dhe frika se ku ishin të tjerët, dhe thirra me zë ‘ikni, vraponi sa më shpejt që të mundeni’ dhe pastaj ai më ktheu pas.
Forcat e regjimit serb më pas i kishin dërguar që të gjithë në stacionin policor në Gjakovë, ku Becker i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për t’u liruar dy javë më vonë.
Becker: Zëri i foshnjës që bërtiste ende më përndjek në ëndrrat e mira. Na dërguan në Gjakovë, në stacionin policor, ku na morën në pyetje për rreth 3 ditë. Hana dhe fëmijët u liruan dhe nga një gjykatës më tha se duhet të bëja 30 ditë burg për kalimin e kufirit pa vizë. Por, unë u lirova, më falën dhe u lirova 2 javë më vonë, dhe dëgjova që të gjitha familjet e kishin kaluar të sigurt kufirin… Kështu dëgjova që familjet e kishin kaluar të sigurt kufirin dhe me lirimin tim shkova menjëherë në veri të Shqipërisë dhe i gjeta të gjithë, dhe ende më shumë të tjerë që kishin nevojë për ndihmë.
Por, ndërsa po përpiqesha të organizoja një trajtim mjekësor jashtë vendit për ta, më qëlluan me armë. Por, unë isha mirë dhe jam këtu tani dhe kam qenë në shumë luftëra që atëherë gjatë 25 viteve të fundit dhe kam parë shumë vuajtje. Por, unë kurrë nuk e kam harruar malin, nuk i kam harruar kurrë ata fëmijë dhe kurrë nuk e kam harruar foshnjën që bërtiste ‘Mami, mami’ nga frika, dhe ai zë ende më përndjek në ëndrrat e mia”, rrëfen humanistja britanike.
E kur Becker ishte plagosur nga forcat paramilitare serbe, ishte presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Rexhep Meidani, që i kishte ofruar ndihmë, porse ajo nuk kishte mundur të largohej pa fëmijët. Ajo tregon sesi kishte arritur të merrte leje për ta dërguar për shërim vajzën e vogël 3-vjeçare.
Becker: Jam e lumtur që Marigona e vogël u shërua në Britani të Madhe. Plumbi kaloi përmes këmbës sime. Më dhembi, por nuk ishte në gjendje shumë të keqe. Presidenti i Shqipërisë dërgoi me dashamirësi ministrin e tij të Shëndetësisë që të më evakuonte në Tiranë, se ishim në Bajram Curri në atë kohë, afër Tropojës dhe i thash, a mund t’i marrim fëmijët? Dhe ai tha jo, është helikopteri i vogël, dhe sigurisht që unë nuk mund t’i lija ata, kështu që më duhej të qëndroja dhe qëndrova atje edhe dy tre muaj të tjerë me këtë plagë të tmerrshme në këmbë. Nuk ishte e këndshme, por në fund arritëm që të gjitha familjet t’i çojmë jashtë vendit dhe për vogëlushen që po verbohej, Marigonën, arrita ta marr lejen për ta sjellë në Britani të Madhe. Ajo erdhi për dy javë dhe u operua, më pas mundi të shihte prindërit e saj siç duhet për herë të parë kur u kthye.
Për të mbetet i paharrueshëm momenti kur kishte gjetur nënat shqiptare nga Kosova tek hanin e pinin në Shqipëri, bashkë me fëmijët e tyre.
Becker: Momenti më i mirë atëkohë ishte kur pash nënat tek hanin të qeta me fëmijët e tyre. Mendoj se kur i pashë të gjithë dhe kur shkova në Shqipëri pasi isha në burg dhe i pashë të gjithë, ata më prisnin në një restorant. Nuk mund ta besoja. Ishte shumë ndryshe, i kisha parë në mal, i kisha parë në mes të atij vendi të rrezikshëm. I kisha parë teksa gjuheshin me armë. I kisha parë duke ikur dhe tani ata ishin ulur. Ata po hanin shpageta dhe fëmijët po pinin milkshake (koktej me qumësht), ishte e pabesueshme.
E tash kur në Kosovë erdhi përmes linjave të rregullta ajrore, ajo thotë se ndjeu kënaqësi të madhe. Ndërkohë që, shton se procesi i paqes është shumë i rëndësishëm.
Humanistja britanike, Sally Becker ditë më parë mbajti një fjalim në konferencën e 2-të vjetore me temë “Nuk ka paqe pa gra”, të mbajtur në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, përveç në Kosovë, ajo ka dhënë kontributin e saj edhe gjatë luftërave e konflikteve në Bosnje e Hercegovinë, Irak, në disa vende të tjera dhe së fundmi në Ukra
Top Channel