Kangjellat e lagura nga lotët nuk mund të pengojnë përqafimin e dy vëllezërve sirianë në portin e Kallamatës.
Janë pamje që kanë bërë xhiron e mediave greke e të huaja, të cilat tregojnë refugjatin Fardi i cili ka mbërritur në Greqi nga Hollanda për të mësuar fatin e vëllait të tij që ndodhej në anijen e cila u mbyt tre ditë më parë në ujërat më të thella të Mesdheut dhe papritmas mëson se është gjallë dhe e takon në vendin ku mbahen të mbijetuarit.
Në një shtëpi në Mandra të Pakistanit një baba që pret ngushëllime pasi ka mësuar se djali i tij 25 vjeç është mes 78 viktimave të gjetura të anijes së mbytur, shpërthen ndaj qarqeve të trafikantëve.
“Qeveria duhet të godasë të gjitha këto grupe që hiqen si agjenci udhëtimi. Do të doja t’u jap një mesazh të gjithë njerëzve që të mos i humbin fëmijët e tyre në këtë mënyrë. Kjo është mizori.”– tha Shahid Mehmood, babai i një prej viktimave të anijes.
Autoritete greke vazhdojnë edhe sot një operacion masiv kërkimi dhe shpëtimi,megjithë kushtet e këqija të motit në zonën ku u mbyt anija megjithëse tashmë shpresat janë shumë të pakta për fatin e qindëra refugjatëve që ndodheshin në të sipas dëshmive të fundit.
Njëri prej të shpëtuarve dëgjoi në momentin e nisjes që u tha : Boll më, e mbyllim , u bënë 750 vetë.
Ndërsa 71 prej 104 të shpëtuarve janë transferuar në qendrën e pritjes në Malakasa ,18 të tjerë trajtohen në spitalin e Kalamatës dhe 5 të mitur janë çuar në qendrën e pritjes në Athinë.
Ndërkohë një prej 9 personave të arrestuar prej autoriteteve greke ka pohuar se është pjesë e grupit të trafikantëve që organizuan këtë udhëtim nga Egjipti, drejt Libisë me destinacion Italinë dhe që më pas u kthye në tragjedinë më të madhe detare në Greqi në gjithë këto vite.
Ndërkohë një video tjetër e publikuar në mediat sociale, ka hapur përsëri debatin politik për përgjegjësinë përkatëse dhe faktin se si mund shmangej mbytja e anijes, ndërkohë që mjetet e Frontex edhe ato të Marinës Detare greke kishin gati 24 orë që monitoronin nga afër rrugëtimin e saj të rrezikshëm, ndërsa ende ngelet e paqartë në se janë bërë ose jo përpjekje për rimorkimin e saj.
Top Channel