Sveçla: Arrestohet edhe një nga sulmuesit e gazetarëve në veri të Kosovës

17/06/2023 23:20

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se më 17 qershor, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, që lidh Kosovën me Serbinë, është arrestuar edhe një person që ka sulmuar gazetarët në veri të Kosovës.

Sveçla tha se bëhet fjalë për Dalibor Spasiç.

“Në vendin tonë demokratik, aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka reaguar pas këtij arrestimi duke thënë se Spasiq “nuk është kriminel”, por punonjës shëndetësor në spitalin në Mitrovicë.

Po ashtu, kjo zyrë që udhëhiqet nga Petar Petkoviç, ka dënuar edhe arrestimin e djeshëm të një qytetari serb, që autoritetet e Kosovës e akuzojnë se ka sulmuar gazetarët në veri.

Përmes reagimit, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe e akuzoi ministrin Sveçla se po tenton të “kriminalizojë” Spasiqin vetëm nëse shikon keq ndonjë gazetar.

Edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka reaguar pas arrestimit në Jarinjë, duke kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

“Ky është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë drejtpërdrejt dhe ta pengojë [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin të nisë një luftë, sepse me veprimet e tij ai do ta detyrojë të gjithë popullin serb të mbrohet nga sulmi i Prishtinës dhe atëherë do të ishte një rrugë pa kthim, që asnjë njeri normal nuk e dëshiron, sepse ishte katastrofike për të gjithë në këto zona”, u tha në reagimin e kësaj partie.

Më 16 qershor është arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.

Po më 16 qershor, gazetarë të mediumeve të ndryshme, sipas Policisë së Kosovës, “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale”, teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit, një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thënë se nga 26 maji deri më 16 qershor, në komunat në veri të Kosovës janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA