Një 39-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është kapur dhe arrestuar në Shëngjin, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Shqiptari Ardian Sufaj, kërkohej nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore italiane, me vendimin e datës 18.05.2023, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim narkotikësh”, “Organizatë kriminale” dhe “Pengmarrje”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Gjatë periudhës tetor 2022- janar 2023, 39-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë blerë dhe trafikuar 100 kg kokainë nga Ekuadori, me qëllim shitjen në Itali.
Gjatë transportimit kokaina është vjedhur nga shtetas të paidentifikuar dhe Sufaj. me bashkëpunëtorët e tij në Itali kanë marrë peng një shtetas, në kërcënimin e armës, me qëllim mbledhjen e informacionit për vjedhjen e kokainës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.
“Në vijim të punës gjurmuese me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Fast Albania, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim që fshihej në Shëngjin, pas verifikimeve të kryera nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Lezhë dhe me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar ‘Genova'”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel