Misioni i KFOR-it ka dënuar ashpër sulmet e djeshme ndaj gazetarëve në Leposaviq.

KFOR-i ka theksuar se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore që duhet të respektohen nga të gjithë.

Misioni i KFOR-it ka bërë thirrje për përmbajtje nga dhuna ose veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre themelore në mënyrë të sigurt.

“Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë vendosur rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën. KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, dhe mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja rrugë përpara.  Gjithashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së, dhe komunitetit diplomatik”, është bërë e ditur në reagimin e KFOR-it.

Policia ka informuar ditën e djeshme se në afërsi të komunës së Leposaviqit individë dhe grupe kriminale kanë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale 9 gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës, ndërsa në një mjet është hedhur edhe shok bombë. “Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, është bërë e ditur nga PK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA