Një sondazh zbulon se shumë të rinj në Gjermani mendojnë se dhuna në familje është “e pranueshme” dhe besojnë se gratë e kanë vendin në kuzhinë
Një në tre burra të anketuar nga organizata joqeveritare “Plan International” thanë se ishin në rregull me dhunën ndaj grave; 34% thanë se sillen ndonjëherë ashpër me femrat “për t’i bërë ato të tregojnë respekt ndaj tyre”.
Në mars të këtij viti, 1,000 burra dhe 1,000 gra të moshës 18-35 vjeç morën pjesë në një anketë të standardizuar të hedhur në internet organizuar nga Plan International.
Deklarata të tjera gjithashtu paraqesin një imazh shqetësues të maskulinitetit.
Sipas sondazhit, 48% e të anketuarve ndihen të shqetësuar kur meshkujt dalin hapur dhe shpërfaqin homoseksualitetin e tyre.
Ndërkohë që dy modelet më ndikues në rrjetet sociale për të rinjtë gjermanë janë: manjati Elon Musk dhe Andrew Tate. Ky i fundit një personazh TikTok-u, një mizogjen i vetëshpallur, i konsideruar si një nga emrat më të rrezikshëm në rrjetet sociale për deklaratat që bën kundrejt grave. Ai beson se gratë e kanë vendin vetëm në shtëpi, se nuk duhet të ngasin makinën dhe se ato janë pronë e burrit. Ai flet për rrahjen dhe përdhunimin e tyre… Dhe, tmerri është se ky personazh TikTok-u numëron mbi 12 miliard shikime.
Sondazhi fillimisht bëri bujë të madhe në media, e më pas u shoqërua me kritika të ashpra. Përdoruesit në rrjetet sociale vunë në dyshim nëse studimi ishte vërtet përfaqësues, veçanërisht sepse sondazhi u krye virtualisht dhe në mënyrë të qartë synonte një grup të caktuar në internet.
Të tjerë kritikuan faktin se mungonin pyetjet konkrete. Por ekspertët pajtohen që sondazhi i organizatës ka kurthe. “Do të kisha dashur të kisha parë më shumë detaje se si u hartua studimi,” thotë Dag Schölper i grupit Bundesforum Männer, që mbron të drejtat e burrave dhe grave.
Ai tha për DW se për fat të keq as nuk është e qartë se si janë dhënë përgjigjet.
“Në të njëjtën kohë, edhe nëse një e treta e 1000 burrave të rastësishëm japin një përgjigje poyitive, ata mund të mos jenë plotësisht seriozë kur thonë se mund ta imagjinojnë veten teksa rrahin partneren e tyre. Por edhe nëse është kështu ata përsëri thanë “PO” në vend që të thoshin automatikisht, se ‘kjo është krejtësisht e papranueshme.” thotë Schölper.
Ai shton se statistikat për dhunën tregojnë se një qëndrim i tillë ekziston dhe veprohet në pjesë të shoqërisë. Numrat e vërtetojnë të drejtën e tij.
Rreth 143,000 njerëz përjetuan dhunë nga partneri ose ish-partneri i tyre në vitin 2021, sipas statistikave kriminale nga Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA).
Në rreth 80% të rasteve, viktimat ishin gra dhe shumica dërrmuese e autorëve ishin burra. Krahasuar me një vit më parë, shënon një rënie të lehtë, por një vështrim në pesë vitet e fundit tregon një rritje.
Rreth 90% e të anketuarve në një sondazh të Kombeve të Bashkuara për Indeksin e Normave Sociale Gjinore 2023 (GSNI) thanë se ushqenin paragjykime ndaj grave. Dy të tretat e të anketuarve nuk u besonin grave rolet udhëheqëse politike. Një në katër tha se është në rregull që një burrë të godasë një grua. Pavarësisht fushatave të shumta, GSNI nuk tregon “asnjë përmirësim në paragjykimet dhe dhunën ndaj grave në një dekadë,” tha organizata në fillim të kësaj jave. / Burimi DW
Top Channel