Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në fillim të javës së ardhshme do t’i japin një përgjigje përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell për takimin në Bruksel.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesë-pikësh, mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme. Një herë u tha data 22, pastaj u tha data 23, pastaj sërish data 22. Unë do ta diskutojë me ekipin tim dhe me siguri që do t’ju japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, u shpreh ai.
Kryeministri potencoi se është i angazhuar në dialog me Serbinë, por tha se mungon sekuencimi për zbatimin e plotë pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe i ankesit të implementimit. Ai tha se janë përkushtuar dhe kosntruktiv në dialog.
“Kurse në këtë dialog unë jam i angazhuar, por ajo çfarë po mungon është sekuencimi për zbatimin e plotë pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe i ankesit të implementimit. Një sekuencim, i cili do të ishte i balancuar dhe fer e që praktikisht është krejt i ndryshëm prej atij çfarë ne na u patë ofruar me datën 26 prill. Pra jemi të përkushtuar, jemi kosntruktiv, mirëpo, nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë i kuptoj që neni 7 dhe 10 janë nenet të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar që t’i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmase”, tha Kurti.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar dy ditë më parë se javën e ardhshme do t’i ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.
Top Channel