Departamenti amerikan i Shtetit, i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mattheë Miller, tha në një deklaratë se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar.

Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.

Të premten një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit të Kosovës. Beogradi nga ana e tij tha se policët u kapën brenda territorit të Serbisë.

“Në të dyja rastet, është shumë e qartë se këta policë nuk kanë pasur qëllim të hyjnë në Serbi dhe ata duhet të lirohen”, tha të premten i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një konferencë me gazetarë.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme atje.

Top Channel