Prej tri ditësh, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura të Durrësit ka ndërprerë punën dhe ujërat e zeza po derdhen në det.
Vështirësitë e hasura nga institucionet përgjegjëse për hetimin dhe gjetjen e origjinës së ndotjes së lartë mjedisore në impiantin e Shënavlashit, po shtojnë ndjeshëm përmasat e ndotjes në zonën bregdetare.
Dëmi konsiderohet në nivelet e një krimi mjedisor, por nga hetimet e deritanishme nuk ka ende asnjë autor të dyshuar. Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve ka përcaktuar se sasia e mbetjeve të hidrokarbureve ka ardhur në impiant përmes rrjetit të kanalizimeve në zonën e plazhit dhe është konstatuar mëngjesin e së mërkurës. Dëmet në impiant dhe mjedis konsiderohen të mëdha, por ende nuk mund të flitet për shifra konkrete.
Kampione të ndotjes janë dërguar në laboratorin e ISHTI-së në Tiranë, ndërsa drejtuesit e impiantit kërkojnë nga agjencitë ligjzbatuese të drejtën e pastrimit të impiantit paraprakisht pastrimin e impiantit dhe vënien në punë të tij.
Ky impiant trajton çdo ditë rreth 30 mijë m3 ujëra të zeza, të cilat përfundojnë në det. Për të ulur pasojat e mëdha të ndotjes nga kjo situatë pritet që në fundjavë të nisë pastrimi dhe më pas puna në impiant.
Top Channel