U rrëmbyen nga serbët, Gjykata në Serbi jep 30 ditë paraburgim për policët e Kosovës

16/06/2023 13:51

Gjykata e lartë në Kraleve të Serbisë ka vendosë masën e sigurisë prej një muaji paraburgim për tre policët e Kosovës, që rrëmbeu policia speciale Serbe më 14 qershor.

Ata dyshohen për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paautorizuar i armëve dhe mjeteve plasëse sipas Kodit Penal të Serbisë.

Lirimin e tyre të menjëhershëm e ka kërkuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Së pari kemi nevojë që të kthehen policët, por në të njëjtën kohë kemi nevojë që ndërkombëtarët të dënojnë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës”.

Ndërkohë, në Mitrovicë të Veriut kanë protestuar qytetarët serbë.

Ata kanë marshuar nga sheshi Car Lazar e deri të shkolla teknike në këtë qytet, duke kërkuar lirimin e të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Milune Milenkoviç.

Në Leposaviq, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi vizitoi kryetarin Lulzim Hetemi. Vetura e tij zyrtare u gjuajt me ngjyrë e më pas u sulmua nga protestuesit.

Ata ishin mbledhur në kundërshtim të vizitës së tij duke e parë si provokim. Madje, kanë sulmuar edhe gazetarët shqiptarë që po raportonin në afërsi.

Mëngjesin e hershëm të së premtes, stacionet e Policisë së Kosovës në veri janë sulmuar nga persona të maskuar.

Dy shok bomba janë hedhur brenda rrethojës së stacionit policor Mitrovicë e Veriut dhe në Zveçan janë hedhur dy shok bomba nga një automjet, i cili ishte në lëvizje dhe është larguar menjëherë nga vendi. Brenda kësaj kohe janë sulmuar edhe dy vetura të policisë.

Top Channel