Ndonëse e nisi nga stoli, Andre Onanës i mjaftoi një sezon për t’u shndërruar jo vetëm në titullarin e padiskutueshëm të portës së Interit, por edhe në benjaminin e tifozerisë zikaltër.
Paraqitjet e tij, sidomos në finalen e Champions, u komplimentuan edhe nga një trajner i madh si Pep Guardiola, teksa disa klube europiane, me Chelsea-n në krye, po provojnë t’ia rrëmbejnë Interit këtë verë.
Arkitekti Stefano Boeri, piloti i Moto GP Valentino Rossi dhe emra të tjerë si Max Pezzali, Alessandro Profumo, Gad lerner, etj., kanë hedhur firmën në një letër dërguar presidentit zikaltër, ku i kërkojnë qëndrimin e Onanës.
“Na lejo të të kërkojmë të mos dorëzohesh përballë asnjë oferte për të shitur Onanën. Është një djalë fantastik, një portier i madh dhe një njeri i aftë për të përmirësuar në mënyrë të shkëlqyer karizmën te shokët e skuadrës. Mos e humbni forcën e Stambollit. Na dhuroni ëndrrën e një skuadre, që duke u nisur nga numri 1 i saj, nga mesi i gushtit do të na bëjë të ëndërrojmë sërish se jemi unikë”, shkruhet në tetrës drejtuar presidentit Zhang.
Në zyrat e klubit zikaltër tani janë duke menduar seriozisht të heqin nga lista e merkatos kamerunasin, që ka ditur të shndërrohet shpejt në një lider brenda grupit, teksa emrat që mund të sakrifikohen për të sponsorizuar blerjet e reja, janë Brozovic, Gosens, Dumfries e Correa./SuperSport
Top Channel