Kapiteni i kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj foli sot në konferencën për shtypin përpara ndeshjes ndaj Moldavisë. E vlefshme për eliminatoret e Euro 2024, që do të zhvillohet të shtunën (SuperSport 2, 20:45) në stadiumin “Air Albania”.
“Strategjia për të zgjidhur sa më shpejt ndeshjen? Moldavia ka një skuadër të mirë, ata kanë treguar se kanë kualitet. Nuk duhet të nxitohemi, ndeshja zgjat 90 minuta. Të jemi të qetë në fushë, të bëjmë gjërat që kemi përgatitur.
Çfarë ka ndryshuar në mentalitet? Nuk ka ndeshje të lehta. E kemi pësuar në ndeshje të tilla, e dinë të gjithë se nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të jemi të përqendruar. Të futemi në fushë me bindjen që jemi lojtarë të mirë dhe që mund të luajmë bukur. Të mos ndikohemi nga nxitimi për të fituar.
Objektivat? Pritshmëritë janë të larta, edhe unë dua të kualifikohemi dhe të shkojmë në Euro 2024. Jemi një skuadër kompakte, jemi një grup i fortë. Nëse luajmë si ndaj Polonisë, unë mendoj se do të kemi rezultat të mirë ndaj Moldavisë.
Trajneri? Po e kuptojmë më shumë, me kalimin e kohës po mësojmë stilin dhe taktikat që kërkon trajneri”, përfundoi mbrojtësi shkodran i Lazios./ Super Sport
Top Channel