Nxënësi i fundit i Migjenit, në një intervistë për “Shqipëria Live”, kujton mësuesin e tij dhe Lulin e Vocërr, për të cili shkrimtari shkroi vargjet që aq lehtë të nguliten në mendje.
“Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande”, shkruan poeti i mjerimit.
Ramadan Shkreli tregon se Millosh Gjergj Nikolla ka dhënë mësim për dy vite në Pukë dhe zbulon si u bë Luli personazhi kryesor i veprës së tij.
“Ai Luli i vogël është kushëriri im. Nuk ka qenë nxënës në atë kohë, ka qenë shërbëtor në shkollë. E kishte kryer shkollën dhe vinte për të shërbyer, i binte ziles, shërbente për çdo gjë! Ka qenë tetë vite më i madh se unë”.
Emri i plotë i Lulit ishte Zeneli dhe ka ndërruar jetë para disa vitesh, thotë Ramadani.
“Migjeni ka lënë shumë respekt sepse ka qenë shkrimtar. Ka bërë shkollën për prift, bëri libër për Zenelin, sepse e pa që ishte djalë me iniciativa”.
Top Channel