Qeveria ka miratuar projektligjin për prodhimin dhe përdorimin e kanabisit mjekësor për qëllime mjekësore dhe industriale.

Sipas ligjit do të krijohet edhe Agjencia Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit, që do të japë licensat për kompanitë dhe do të monitorojë tregun

“Ky projektligj përcakton kuadrin rregullator për mënyrën pse si do iniciohet procesi. Qëllimi është rregullimi dhe granatimi i procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së prodhimin, përpunimit. Aspekte kryesore, lidhen me aspekte rregullatorë që i përkasin nga momenti i kultivimit dhe eksporti i sigurt dhe i kontrolluar. Ka një element të veçantë, aspekti rregullator përcakton edhe institucionet që do merren me kontrollin e përpunimit dhe prodhimit të produkteve për qëllime mjekësore. Krijohet Agjencia kombëtare për kontrollin e kanabisit“, tha ministrja Ogerta Manastirliu.

Bimët që do lejohen për prodhim  nuk duhet të jenë varietet që përmbajnë më shumë se 0.2% THC, që është lënda aktive brenda bimës që ka edhe vetitë kuruese. Kompanitë që do marrin licencë, ortaku që ka mazhorancën e aksioneve duhet të ketë një licencë të ngjashme nga një vend i OECD, si dhe certifikimin GMP nga EMA(Agjencia Europiane e Barnave) ose homologu amerikan FDA. Licenca jepet për një periudhë 15 vjeccare, me të drejtë rinovimi, ndërsa kompanitë nuk mund të kenë një kapital fillestar më të vogël se 100 milionë lekë.

Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar.

Funksioni i Agjencisë sipas projektligjit të miratuar sot:

Agjencia organizohet dhe funksionon në nivel qendror, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Ajo do të hartojë kriteret e vlerësimit të aplikuesve bazuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, do të organizojë procedurat për dhënien e licencës për kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore, do të rivlerësojë çdo tre vjet, përmbushjen e kushteve të dhënies së licencës. Ajo duhet të garantojë zhvillimin e veprimtarisë së subjekteve të licencuara në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në licencën si dhe të subjekteve të lejuara për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Agjencia mbikëqyr aktivitetin e licencuar në çdo fazë dhe për çdo cikël prodhimi, për të siguruar që aktiviteti kryhet sipas ligjit dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, përcaktimeve në licencë dhe përcaktimeve në planin e miratuar të prodhimit. Agjencia kryen inpektimet sipas këtij ligji dhe, kur është nevoja, koordinon inspektimet e kryera në bashkëpunim me institucione të tjera dhe bashkëpunon dhe shkëmben informacion me Policinë e Shtetit dhe institucione të tjera, kombëtare apo ndërkombëtare, me të cilat Shqipëria ka marrëveshje, në fushën e luftës ndaj përdorimit, trafikut të narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe ndaj pastrimit të të ardhurave prej aktivitetit të paligjshëm.

Pranë Agjencisë do të ngrihet Komisioni i Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura për marrjen e licencës

Licenca për ushtrim të aktivitetit të kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore, jepet për një periudhë 15 vjeçare, me të drejtë rinovimi.

Licenca miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar mbi procedurën përzgjedhëse, të organizuar nga Agjencia. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar.

Çdo personi juridik që aplikon për licencë duhet të ketë eksperiencë në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore. Ai vetë ose një aksioner i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së dhe zotërues i GMP (Good Manifacturing Practice/Praktika e mirë e prodhimit), të lëshuar nga EMA (European Medical Agency/Agjencia Europiane e Barnave) ose FDA (Food and Drug Administration/ Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat).

Kapitali minimal i kërkuar duhet të jetë të paktën 100 milionë Lekë.

Pas vitit të tretë të aktivitetit, subjekti i licencuar do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5 % të qarkullimit vjetor, por në çdo rast, jo më pak se kundërvlefta e shumës 10 milionë Lekë.

Për sa i takon kultivimit të kanabisit për qëllime industriale, ai do t’iu lejohet subjekteve që janë të regjistruar në Regjistrin e Kultivuesve të kanabisit industrial, i cili krijohet dhe administrohet në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë. Leja jepet për një afat 5 vjeçar me të drejtë rinovimi, për sipërfaqe jo më të vogël se 1 hektar. Licenca lejon prodhimin deri në 4 njësi prodhimi kufitare. Për njësitë jokufitare, nevojitet pajisja me licencë ose leje të re.

Aplikimet për licenca kultivimi mund të kryhen duke nisur nga 1 janari 2023. Subjekti i pajisur me leje kultivimi lejohet të mbjellë vetëm fara dhe fidanë të regjistruar në institucionin përgjegjës për regjistrimin e farave dhe fidanëve. Subjekti duhet të njoftojë Agjencinë dhe ministrinë përgjegjëse për bujqësinë jo më pak se 10 ditë para korrjes së bimës.

Fermeri do të mbajë regjistër të dhënave sipas formatit të miratuar dhe që duhet të përmbajë të dhënat që përmban mbi farat dhe fidanët që mbillen, sasinë e prodhuar, bimët e asgjësuara, blerësin e lëndës së parë, produktet plehëruese të përdorura, analiza vjetore të bonitetit të tokës dhe elementë të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA