Tre policë të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, po merren në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Kralevës, por ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë akuzash rëndojnë mbi ta.
Qeveria e Kosovës e konsideron arrestimin e tyre si “rrëmbim” në territorin e saj.
Serbia e mohon këtë duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.
Autoritetet në Serbi duhet të vendosin gjatë së premtes për trajtimin e mëtejshme të rastit të tre policëve, pasi kanë kaluar 48 orë nga arrestimi i tyre.
Ky është afati ligjor brenda të cilit Prokuroria duhet të vendosë nëse do të propozojë masë paraburgimi dhe, më pas, gjyqtari ta marrë vendimin.
Nëse nuk merret masa e paraburgimit, policët e arrestuar duhet të lirohen.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës.
“Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën”, ka thënë një ditë më parë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Top Channel