Dëshmitari i tetë në gjykimin kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, është Zbynek Dolejsi, ekspert për identifikimin e ADN-së.

Dolejsi ka deklaruar se aktualisht është shef i Departamentit Gjenetik në Institutin Kriminalistik të Pragës, në Republikën Çeke.

Sipas tij, në këtë institut shërben prej vitit 2004, ndërsa ka theksuar se mban edhe pozitën e kolonelit në Policinë Çeke.

Në pjesën e parë të seancës ZPS e ka intervistuar atë rreth një raporti të vitit 2009 dhe më pas për një analizë të vitit 2023.

Lidhur me raportin e vitit 2009, Dolejsi ka thënë se instituti ka pasur për detyrë të përcaktojë lidhjen biologjike të materialit që u është dorëzuar me prindërit e mundshëm biologjik, me një material të një trupi të vdekur.

“Ishte një kërkesë standarde ku na u kërkua të bënim përcaktimin e lidhjes biologjike, na u dha material i caktuar reference ndaj printerëve të mundshëm biologjik dhe një fragment të një materiali të një trupi të caktuar të vdekur”, ka thënë ai.

Pas kësaj përgjigje, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun, ndërsa u hap pas disa minutash me vazhdimin e pyetjeve të prokurorisë lidhur me raportin e vitit 2009.

“Çdo herë në raportet që ne hartojmë, në akt ekspertizat që ne hartojmë, neve tregojmë nëse materialet e referencës kanë qenë të dëmtuara ose jo, kjo do të thotë që të gjitha kutitë, të gjitha zarfet e dorëzuara apo çdo material që kemi marrë, ka qenë i mbyllur dhe nuk është se ka qenë i dëmtuar”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka thënë se atyre u është kërkuar të përcaktojnë nëse kishte lidhje biologjike mes personave që ishin burim i materialeve në fjalë.

Sipas dëshmitarit, në këtë raport kishin ardhur në përfundim se krahasimi i ADN-së nga dy subjekte njerëzish A dhe B, përkon me kockën që kishin pranuar si institut.

“Ne arritëm në përfundimin që bëmë një krahasim të profilit të ADN-së nga subjekti A dhe subjekti B dhe po ashtu themi në akt-ekspertizë që kjo përkon me donatorin e fragmentit të kockës. Probabiliteti që ne llogarisim duke përdorur softuerin tonë është 1 me 70 mijë…Për shkak të cilësisë së kockës të marrë ne bëmë rekomandime që të prodhohet një kafkë sepse ne mendojmë që pesa e kafkës, që të na jepej një fragment i kafkës apo i dhëmbëve sepse këto do ta na bënim të mundur të merrnim një profilizim më të mirë të ADN-së. Dhe nëse do të merrnim një kampion nga këto dy pjesë atëherë profili i ADN-së do të ishte qind për qind i saktë”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka shtuar se në vitin 2023 kanë bërë një analizë të re për lidhjen e mundur biologjike midis subjektit A dhe B, dhe personit të cilit sipas tij i përket ajo copë kocke. Raporti i këtij viti është shfaqur në gjykatë, në një seancë të mbyllur për publikun.

“Raport fillestar ishte i printuar dhe në bazë të rregullave tona të brendshme ky raport është shkatërruar që kanë kaluar 10 vite, megjithatë këtë, ne, të dhënat fillestare arritëm t’i siguronim sërish, që do të thotë i kishim në formë numerike profilet e ADN-së”, ka thënë ai.

“Mund të thuhet edhe diçka që nuk ishte në raportin e parë të ekspertëve, që analiza e kromozomit në subjektin A ka rezultuar të jetë e njëjtë me atë të personit B. Sa i përket këtij fragmenti të kockës, ne vitin 2009 ne nuk e thamë një gjë të tillë në raportin tonë, pse pasi nuk ishim në gjendje ta kishim këtë si pjesë të rezultateve. Ajo ishte një analizë tjetër mbështetëse, kromozomi Y vjen nga babai që do të thotë që babai dhe i biri kanë të njëjtin profil të kromozimit Y, kjo nuk na mundëson të identifikojmë një individ por një grup dhe prandaj ne nuk e kemi përmendur në raportin tonë fillestar këtë fakt”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “Analiza e kromozomit Y tregon të njëjtin kromozom të personit A dhe fragmentit të kockës, pra mbështet këto rezultate”.

Pas intervistimit të Prokurorisë, dëshmitari po përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Shalës.

Ndërsa në fillim të seancës, dëshmitari ka thënë se në Republikën Çeke ka disa laboratorë të kriminologjisë pranë Policisë dhe se shtatë prej tyre janë në varësi të Institutit të Kriminologjisë.

Ai ka thënë se ky institut përpunon akt-ekspertizat, bën këqyrjet kriminalistike të ekspertit për kryeqytetin dhe të gjitha njësitë policore të Republikës Çeke të cilat janë në funksion të të gjithë territorit.

Ai ka thënë se ka dhënë dëshmi edhe më parë sa i takon analizave të ADN-së që ka kryer. Pjetër Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA