​Përfaqësuesi i ShBA-ve në OSBE kërkon lirim pa kushte të tre zyrtarëve policorë

16/06/2023 14:51

Përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-ve në OSBE, ambasadori Michael Carpenter ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.

Në takimin e radhës, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Prespës në Strugë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e zhvilloi me ambasadorin Carpenter, ku biseduan për situatën në vend pas rrëmbimit nga forcat serbe të tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës thuhet se ambasadori Carpenter ka thënë se sundimi i ligjit duhet të mbështetet, derisa theksoi kërkesën për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.

“Në lidhje me veprimin agresor të Serbisë, Kryeministri Kurti, tha se ky akt është shkelje e Kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe kërkoi që agresioni të dënohet nga faktori ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë Kurti.

Në këtë takim, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA